Vajza e dikujt? Bukuroshja e ndokujt? Apo ajo prostituta e damkosur në mediat sociale kur femra ngre zërin? Rruga e femrës politikane në Kosovë është e shtruar shpesh me gjemba.
Kosova krenohej me presidenten e parë femër, Atifete Jahjagën, në qeveritë e Kosovës kanë kontribuar po ashtu disa ministre femra, edhe në institucionet e shtetit i gjen femrat kosovare, pavarësisht se ato me funksion drejtues duhet t’i kërkosh me lupë. Kosova praktikon një kuotë të 30% të përfaqësimit të gruas në listat zgjedhore partiake e 30% detyrim ligjor për përfaqësimin e gruas në Kuvendin e Kosovës. A mund të ankohesh në këto kushte se femrat nuk i kanë punët mirë në politikën kosovare?
Retorika dhe realiteti i përfshirjes së gruas në politikë
Por vetë gratë aktive në politikë njohin një realitet tjetër. „Të jesh femër në politikën kosovare nuk është një sfidë e lehtë, të duhet të jesh 3 herë më e fortë se burrat”, thotë kandidatja për deputete e PDK-së, Ganimete Musliu, politikanja që e zëvendësoi ëndrrën e saj për t’u bërë mësuese me politikën.
Ndërsa Ariana Qosaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillimeve të Politikave, KIPRED pohon se në përgjithësi është kuptuar rëndësia e pjesëmarrjes së grave në politikë. Megjithatë ajo është e bindur se “pa obligimin ligjor të 30%, të përfshirjes së grave në politikë me kuotë, ne nuk do ta kishim as këtë pjesëmarrje në parlamentin e Kosovës, pra do të kishim shumë më pak gra në politikë. Prandaj kuota duhet të ekzistojë ende”, kërkon ajo.
Kjo kuotë është plotësuar edhe këtë vit në listat partiake për zgjedhjet e përkohshme parlamentare më 11 qershor në Kosovë, por kandidatja e PDK-së, Ganimete Musliu kritikon faktin që “asnjëra nga partitë nuk e ka tejkaluar 30%-in, megjithëse me fjalë ato thonë se sa e rëndësishme është rritja e pjesëmarrjes së gruas në politikë.”
Grave u mungojnë rrjetet që kanë burrat
Shifrat dhe retorita e bukur partiake për pjesëmarrjen e grave në politikë, duket se nuk i fshehin dot gurët që pengojnë avancimin e grave. “E para nuk kemi kushte ‘fair’, që një grua të garojë e barabartë me burrat, është si t’i vësh asaj një thes në kurriz e t’i thuash garo. Gratë mbeten më të sfiduara, ato janë më pak të përfaqësuara se burrat në institucione publike. Politika kosovare dominohet nga burrat, ata i udhëheqin partitë politike, vendimet kryesore nuk merren në suazat e institucioneve publike, por shpeshherë nëpër kafe, nëpër vende ku gratë janë më rrallë prezente, pasditeve psh. ato kujdesen për fëmijët në shtëpi”, thotë Ariana Qosaj nga KIPRED. Ajo kërkon që partitë të punojnë më shumë për respektimin jo thjesht të kuotës, por të ligjit të barazisë gjinore, të miratuar në vitin 2015 që kërkon përfaqësimin e gruas mbi bazën e paritetit, shkruan DW.
Grave në Kosovë nuk u mungojnë vetëm rrjetet e lidhjeve për të ecur përpara, por sipas një studimi të Institutit Kombëtar Demokratik në Kosovë (NDI) të vitti 2015, “partitë shpesh gratë nuk i marrin seriozisht si anëtare, udhëheqëse apo kandidate. Shumë shpesh partitë i rekrutojnë gratë sa për të përmbushur kërkesat minimale ligjore për kuotat.”
Vetëm politikane e bukur?
Vlejnë për gruan në politikë kritere të tjera për të ngjitur shkallët e karrierës? Ganimete Musliu është kritike. “Në politikën kosovare nuk vlerësohet gjithmonë puna, angazhimi i gruas, meritokracia, por ka një trend, që duhet të jesh vajza e dikujt me emër, apo ndonjë vajzë që vishesh bukur, me modelizëm në pamje, por politika nuk është pasarelë mode, ajo kërkon kontribut për mirëqenien.” Rruga nga aktivizimi në rininë e Partisë Demokratike të Kosovës deri tek mandati i deputetes nuk ka qenë e lehtë për Ganimete Musliun. Por ajo e ka një çelës për sfidat. “Jam optimiste gjithmonë, nuk dua të shoh probleme, por zgjidhje”, thotë ajo.
Gratë politikane thonë se ende shoqëria patriarkale në Kosovë ushqen stereotipet gjinore. Perceptimit për femrën në Kosovë si gjinia e butë dhe e bukur nuk i shpëtojnë as politikanet. Mediat në Kosovë po ashtu i kushtojnë vëmendje pamjes së jashtme, veshjes së femrave politikane në parlament, një vëmendje që nuk i jepet në këtë formë burrave. Një fenomen të tillë e konstaton edhe ekspertja e KIPRED, Ariana Qosaj. “Shpesh tek femrat shihet aparenca, dhe jo se ajo çfarë kanë dhënë vërtet si kontribut, e fatkeqësisht seksizmi i pranishëm e bën femrën objekt, ajo nuk matet me punën.”
Ndryshim i perceptimit
Hykmete Bajrami, deputete e partisë “Lidhja Demokratike e Kosovës”, në qeverinë e fundit si ministre e Tregtisë dhe Industrisë udhëhiqet nga një lajtmotiv: Të mos trajtohet ndryshe, pse është femër. Perceptimin për femrën duhet ta ndryshojnë vetë femrat, kërkon ajo. “Ato të parin asset duhet të kenë mendjen, karakterin e fortë. Nëse ne e perceptojmë veten si dekor të institucioneve, të tilla edhe do të trajtohemi. Ne vetë mund ta ndryshojmë këtë seksizëm, duhet ta bindim me punë shoqërinë pse jemi aty “, kërkon nëna e dy vajzave, të cilat i edukon të ndjehen të lira e pa komplekse gjinore.
Politikanja e LDK-së e ka përjetuar edhe si ministre, se gjinia është nganjëherë faktor në marrëdhënie pune, por ajo gjithmonë ka këmbëngulur tek cilësia e punës. „Nëse ne shfaqemi sensitive, kjo na bën cak të sulmeve” është bindja e saj. „Po, ne jemi gjinia e butë, e bukur, por jemi gjinia e pakorruptuar”, thotë ajo me krenari.
Edhe deputetja e partisë „Vetëvendosja, Albulena Haxhiu paraqitet luftarake. „Duke pasur parasysh mentalitetin patriarkal natyrisht që nuk është e lehtë për shkak të paragjykimeve dhe stigmatizimeve që bëhen. Këto vështirësi për mua kanë qënë të pranishme në fillim, por i kam thyer me guxim, dije dhe vullnet. Unë i inkurajoj të gjitha vajzat dhe gratë që të jenë pjesë aktive e shoqërisë.”
Alublean Haxhiu, politikane e “Vetëvendosjes”
Një pengesë tjetër në rrugën e gruas që të jetë pjesë aktive e shoqërisë në Kosovë është edhe mungesa e mbështetjes nga ana e familjes. “Ende gratë nuk e kanë sa duhet mbështetjen e familjes, rrethit, apo edhe grave të tjera,” thotë Hykmete Bajrami nëna e dy fëmijëve, që u angazhua në politikë edhe falë ndihmës së dhënë nga familja. Edhe ekspertja e KIPRED, Ariana Qosaj konstaton se „gratë ende kanë më shumë përgjegjësi në familje, në kujdesin ndaj fëmijëve, megjithëse në shkolla ato dalin me rezultate më të mira se burrat.”
E nëse femra kosovare arrin të kalojë të gjitha këto pengesa e të ngjitet në poste politike, si person publik ajo përballet shpesh me rrezikun e fyerjeve dhe sharjeve të rënda në rrjetet sociale. Nuk ka ndonjë studim nëse janë femrat ato që përballen më shumë se meshkujt me fyerjet në rrjetet sociale, por Ariana Qosaj nga KIPRED thotë se është e vërtetë që „sidomos tani në fushatën zgjedhore është shtuar gjuha e fyerjeve ndaj femrave politikane në rrjetet sociale. Kam ndjekur një tendencë ofendimi, një ashpërsim të fjalorit nëse nga femra jepet një mendim apo qëndrim që nuk përputhet me shumicën.”
Për politikanen e PDK-së, Ganimete Musliu denigrimi i figurës së femrës është një temë e rëndësishme, të cilën shoqëria kosovare duhet ta vendosë më shumë në fokusin e saj. „Në rrjetet sociale janë gratë ato që ndeshen me fyerje nga më të turpshmet, linçohen në mënyrën më brutale, ato quhen prostituta, e nuk ka reagime nga profesionistët.” Politikanja kërkon një kthesë në skenën politike në Kosovë. „Ruajtjen e dinjitetit dhe integritetit të femrës.”
Gjysma e popullsisë në Kosovë përbëhet nga gratë dhe vajzat, e megjithatë rruga e tyre për t’u ngjitur në politikë ka shumë më tepër gurë përpara. Politika kosovare dominohet nga meshkujt. Shumëherë gratë dinë që edhe me gurët që u pengojnë rrugën të ndërtojnë diçka të bukur, por për të hequr të gjithë këta gurë është edhe më e nevojshme ndihma e gjysmës tjetër, e burrave e të rinjve të Kosovës.
Nisin punimet për ndërtimin e stadiumit të parë të atletikës...
Jude: Është një goditje e madhe kur një lojtar si Vini lëndo...
Zelensky: Dy civilë u vranë në Sumy nga një sulm rus
Muja: Opozita bën propagandë ndaj Qeverisë Kurti për kontrat...
Netanyahu i kërkon kabinetit të tij ta pranojë marrëveshjen ...
Abdixhiku falënderon qytetarët për mbështetjen: Prezenca jua...