Ymeri: Unë vet e kam propozuar Albin Kurtin kandidat për kryeministër

22:37 | 8 Qershor 2017
Arbresh.info

Visar Ymeri ka thënë në Magazinën Zgjedhore në Klan Kosova se ishte ai që ka propozuar Albin Kurtin që të jetë kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Vetëvendosjes pohoi se s’ka kandidat më të mirë për kryeministër të shtetit sesa Albin Kurti, jo vetëm brenda, por edhe jashtë Vetëvendosjes, përfshirë edhe kandidatët e tjerë, nga koalicionet PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR, njofton Klan Kosova.

“Unë e kam propozuar Albin Kurtin që të jetë kandidat për kryeministër, sepse mendoj se Vetëvendosje edhe në këtë garë garon me kandidatin më të mirë për kryeministër, jo vetëm brenda Vetëvendosjes, por në gjithë spektrin politik”, ka pohuar Ymeri.

“Prandaj jam i lumtur dhe me vullnet të plotë e ka përkrahur secili anëtar i Lëvizjes, Albin Kurtin për kandidat për kryeministër”.

Ymeri ka shtuar se Vetëvendosje ka pasur rritje të madhe, jo vetëm në këtë kohë fushate, por edhe gjatë vjetëve të kaluara kur, bashkë me pjesën tjetër të opozitës, ndalen Demarkacionin dhe Asociacionin.

“Përkrahja për Lëvizjen Vetëvendosje në këto zgjedhje është rritur jashtëzakonisht shumë, dhe kjo vjen jo vetëm në këtë fushatë, por edhe më herët, kur Vetëvendosje, bashkë me partitë opozitare, ndaloi dy projektet Asociacionin dhe Demarkacionin”.

“Vetëvendosje tash është e shtrirë nëpër Kosovë më shumë se kurrë ndonjëherë dhe në shumicën dërrmuese të komunave që i kemi aktivitete kemi masovitet”.

“Rritja e Vetëvendosjes nuk vërehet vetëm në sallat e mbushura, por edhe në regjistrimin e vullnetarëve në Vetëvendosje”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme