Hoti: Çdo institucion publik do të ketë një të punësuar me nevojat të veçanta

12:15 | 8 Qershor 2017
Arbresh.info

Gjatë një vizite që i ka bërë Handikosit në Prishtinë, kandidati për  kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të enjten  se në të gjitha institucionet publike do të ketë të paktën një të  punësuar me nevoja të veçanta, ndërsa bizneset që punësojnë këto  kategori do të përfitojnë subvencionimin e pagave të tyre.

“Në dy vitet e kaluara kemi punuar me ministrin Abrashi dhe do të  vazhdojmë edhe në të ardhmen. Tashmë linja buxhetore është e gatshme.

Zotohem para juve se do të angazhohemi shumë për përmirësimin e kushteve  të kësaj kategorie, ndërsa po ashtu e them këtu se të gjitha  institucionet publike do ta punësojnë së paku nga një person me nevoja  të veçanta, ndërsa nëse bizneset private punësojnë njerëz nga kjo  kategori, ne do t’i subvencionojmë në pagat e tyre”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se njerëzit me nevoja të veçanta janë kategori që kërkon më  tepër kujdes dhe ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më tepër për  përmirësimin e gjendjes në këtë kategori.

“Qëllimi ynë nuk është vetëm t’u sigurojmë kushte për jetë të  dinjitetshme, por edhe t’i integrojmë sa më tepër në shoqëri”, ka thënë  Hoti.

Afrim Maliqi, drejtor i Handikosit ka thënë se jemi të nderuar që i kemi  këtu në mesin tonë kandidatin për kryeministër z. Hoti dhe përfaqësuesit  e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, të cilët nuk na vizitojnë vetëm në  kohë fushatash, por kujdesen vazhdimisht për personat me nevoja të  veçanta.

“Bashkëpunimi ynë do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të personave me nevoja të veçanta e njëkohësisht edhe mbulimin e shërbimeve të  domosdoshme. Kjo do ta rritë mirëqenien e gjitha familjeve, të cilat preokupohen me këtë problem”, ka thënë Maliqi./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme