Google ADS

Vettingu përfundon në Kushtetuese

10:12 | 8 Qershor 2017
Arbresh.info

Në një kohë që e gjithë vëmendja është e përqendruar tek fushata, që këtë vit është bërë edhe më sulmuese për shkak se partitë garojnë secila më vete, tre ligje të reformës në drejtësi janë çuar në Gjykatën Kushtetuese, për të rrëzuar disa nene të tyre të rëndësishme.

Ndërsa më parë Shoqatat e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve kanë njoftuar median dhe kanë folur për rezervat e tyre lidhur me nenet që kanë çuar në Kushtetuese, këtë herë çdo veprim është bërë në fshehtësi. Gazeta “Shekulli” disponon dokumentin e gjatë me nenet e ankimuara të tre ligjeve dhe me argumentet e tyre përkatëse.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të RSH-së, Unioni Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Unioni i Prokurorëve të RSH, janë bërë bashkë dhe kanë çuar tre ligje në Gjykatën Kushtetuese. Ankimi është dërguar në Kushtetuese më 25 maj dhe siç është mësuar, gjykata e ka pranuar kërkesën. Tre shoqata kanë ankimuar ligjin për “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH” dhe ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSh”, ose i njohur ndryshe si Vetting-u. Duke u ndalur tek ligji i Vetting-ut, që është konsideruar si thelbësor në pastrimin e drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët kanë kërkuar shfuqizimin e disa neneve të kapitullit “Pastria e figurës” ose nenet që flasin për lidhjet ose tendencat e dyshimta të njerëzve të gjyqësorit me elementë të krimit.

Vetting-u, nenet e ankimuara

Gjyqtarët dhe prokurorët i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese rrëzimin si antikushtetues të 9 neneve që kanë të bëjnë me vërtetimin për lidhjet me krimin. Këto kanë qenë edhe nenet më të diskutuara gjatë kohës që po hartohej ligji dhe një pjesë e tyre ishin pjesë e ankimimit që ka bërë vetë PD-së. Konkretisht, është kërkuar shfuqizimi i të gjithë nenit 37 që flet për vërtetimin e lidhjes së një gjyqtari apo prokurori me njerëz të krimit. Ky nen, detyrat e grupit të punës, parashikon: “b) verifikimi nëse ka tendenca kriminale për përfshirjen në krimin e organizuar; c) vlerësimi i përgjithshëm, nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura kriminale; ç) kontrolli nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim, ose në përbërje të një organizate kriminale;”. Një nen tjetër që është ankimuar në një pjesë të përmbajtjes së tij është neni 38.

Ky nen tregon mbi saktësinë e provave për të dalë në konkluzionin nëse një gjyqtar apo prokuror plotëson standardet e pastërtisë së figurës. Pjesa që kanë ankimuar shoqata ka lidhje me informacionet konfidenciale, apo të disponueshme. Mesa duket gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë përcaktimin më të saktë të burimit të informacionit. “Kontrolli i figurës zhvillohet bazuar në prova të sakta, në informacione konfidenciale, si dhe informacione të tjera të disponueshme”, thotë neni 38 i ankimuar. Një pikë tjetër e këtij neni ka të bëjë me një person i lidhur me subjektin e rivlerësimit (gjyqtar ose prokuror). “b) subjekti i rivlerësimit ose personi i lidhur me të ka pasur një komunikim jorastësor me një person të përfshirë në krimin e organizuar. c) subjekti i rivlerësimit ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me një person të përfshirë në krimin e organizuar;”, parashikohet në dy pikat që po ashtu janë ankimuar. Në mënyrë të plotë është kërkuar edhe shpalljen antikushtetues të nenit 49, të kapitullit “Procedura e rivlerësimit”, që flet për kërkimin e provës, në terren, të objekteve të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe deklaratat e ekspertëve apo dëshmitarëve. Në mënyrë të plotë është kërkuar edhe rishikimi i nenit 54, me 7 pika që ka të bëjë me bashkëpunëtorin e drejtësisë.

Mes të tjerash neni për bashkëpunëtorin e drejtësisë ka dy pika thelbësore të tij, 5 dhe 7. Në pikën 5 thuhet se, “Bashkëpunëtori i drejtësisë nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë. Një kopje e dëshmisë dhe e marrëveshjes së bashkëpunimit i jepet bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe institucioneve të rivlerësimit”. Ndërsa në pikën 7 parashikohet që, “Subjekti i rivlerësimit që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin. Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës.

Kthimi i shumës mund t’u kërkohet drejtpërdrejt dhe çdo personi të lidhur me subjektin e rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100 000 lekë pa shkak të ligjshëm, që nga 1.1.2006. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur kanë të drejtë të paraqesin në gjykatë padi regresi ndaj personave të tretë që mund të kenë përfituar shumën përkatëse”. Një pjesë e këtyre neneve janë kontestuar edhe më parë nga Partia Demokratike që ka ankimuar ligjin. Problematika thelbësore lidhet me vërtetimin e saktë të dyshimeve se një gjyqtar dhe prokuror që i rastis të jetë në një ambient me një person i përfshirë në krimin e organizuar, a e bën edhe atë pjesë e krimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme