Google ADS

Hoti: Pensionet 40 për qind më të larta, pleqve kujdes shëndetësor në shtëpi

15:14 | 7 Qershor 2017
Arbresh.info

Programi i kandidatit për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, parasheh rritje të pensioneve për 40% dhe kujdes shëndetësor në shtëpi për pleqtë, të sëmurit nga sëmundjet e rënda dhe personat me aftësi të kufizuara.

“Programi ynë parasheh tri pika kryesore për pensionistët. Ulja e përvojës së punës nga 15 në 10 vite për ta përfituar pensionin kontributdhënës. Njohja e përvojës së punës gjatë viteve të 90-ta dhe krijimi i Fondit Pensional, i cili do të themelohet me ligj për të siguruar që pensionet të rriten së paku për 40% në krahasim me ato që janë tash”, ka thënë Hoti, gjatë një takimi me elektoratin në Kamenicë.

Ai ka shtuar se Programi ynë, që tashmë është publik, parasheh dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë. “Në këtë kuadër do të themelohet Fondi për Sigurim Shëndetësor, i cili përveç tjerash, do të rimbursojë barnat për qytetarët nëpërmes skemës së barnave jashtëspitalore”, ka thënë Hoti.

Ai është zotuar se do ta mbulojë me fonde 100% barnat nga lista esenciale dhe asnjë pacient nuk do të blejë më barna dhe material spitalor nga Lista esenciale e barnave.
Hoti ju ka thënë simpatizantëve dhe qytetarëve të Kamenicës që të dalin të dielën sa më masivisht në zgjedhje për t’i thënë “ndal” koalicionit të mistershëm.

Shaip Surdulli, kryetar i degës së LDK-së në Kamenicë ka thënë se më 11 qershor, e kërkojmë votën për koalicionin e paqes, profesionalizmit dhe guximit.

“Vota për këtë koalicion është votë për zhvillim, mirëqenie, qetësi. Është votë për autostradën Prishtinë – Gjilan – Kamenicë – Dheu i Bardhë. Kamenica do të përkrahet edhe më shumë, sepse është e rëndësishme për Kosovën, është urë lidhëse me Bujanocin, Preshevën e Medvegjën”, ka thënë Surdulli.

Kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se koalicioni ynë tash po quhet koalicioni i fitores, pasi që fitorja jonë do të jetë e krejt Kosovës.

“Në listën tonë kemi ekspertët më të mirë të fushave të ndryshme dhe kjo listë ekspertësh ofron një qeveri çfarë e meriton ta ketë Kosova. Qeveria e ardhshme, në krye me profesor Hotin, do të jetë qeveri e sukseseve, qeveri e cila do t’ia japë vulën kthesave të rëndësishme që duhet t’i bëjë ky vend”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, këto kthesa kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me krijimin e vendeve të punës, luftën kundër korrupsionit, integrimin e vendit tonë.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se jemi bërë bashkë në familjen e madhe rugoviane dhe kështu do të rrugëtojmë së bashku.

“Besoj që më 11 qershor ky koalicion do ta fitojë besimin e qytetarëve, sepse është koalicion i paqes, punës, fjalës, i njerëzve të dëshmuar”, ka thënë Pacolli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme