Bashkimi Evropian pret që Kosova të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit me një Qeveri pro-evropiane dhe që institucionet e reja t’i përmbushin sa më shpejt kriteret e mbetura për heqjen e vizave, deklaroi Komisioneri për Negociata dhe Zgjerim, Johannes Hahn.
Këto komente, Komisioneri Hahn i bëri në Bruksel, gjatë një konference në lidhje me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se BE-ja planifikon që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina) të jenë pjesë e unionit.
Në këtë aspekt, Hahn tha se më 12 korrik në Triestë të Italisë, do të zhvillohet një takim i radhës ku do të diskutohet çështja e tregut të përbashkët ekonomik të rajonit.
Sa i përket Kosovës, Hahn dërgoi mesazhe për përmbylljen me sukses të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, dhe konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
Sipas tij, nëse liderët politikë në Kosovë dhe akterët tjerë tregohen seriozë në lidhje me perspektivën evropiane, atëherë ata duhet të sigurohen për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, fer e demokratike.
“Shpresojmë që ata të themelojnë më shpejt Qeverinë sesa herën e kaluar”, tha Hahn. Themelimi sa më i shpejtë i Qeverisë, sipas tij, do të ndikonte që Kosova t’i kthehet shumë shpejt punës së madhe që e pret.
Ndër tjera, ai ka inkurajuar Prishtinën që edhe pas zgjedhjeve të vazhdojë dialogun me Beogradin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e negociatave që po lehtësohet nga Brukseli.
“Liderët evropianë në disa raste e kanë thënë se përparimi në dialog është parakusht për perspektivën evropiane dhe se ky parakusht nuk ka alternativë tjetër”, theksoi Hahn, duke iu referuar të ardhmes evropiane të Kosovës dhe Serbisë.
Komisioneri i BE-së tha po ashtu se është me rëndësi që Kosova ta ketë sa më shpejtë Qeverinë e re e cila do të duhej të ishte pro-evropiane dhe e pranueshme nga faktori i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar.
Ndërkaq, në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Hahn ritheksoi se gjithçka varet nga përmbushja e dy kritereve të parashtruara nga Komisioni Evropian, ku bëjnë pjesë luftimi i korrupsionit dhe ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Marrë parasysh faktin që Kosova është në proces zgjedhor, ai tha se sa më shpejt që të konstituohet Kuvendi dhe të jetë në gjendje të marr vendime, aq më shpejt mund të përmbyllet procesi i heqjes së vizave.
“Kushtet janë mirë të njohura dhe nëse merren vendimet ne kemi prezantuar tashmë raportin para një viti e gjysmë, kështu që nëse plotësohen edhe dy kushtet e fundit, atëherë ne do të prezantojmë raportin final tek vendet anëtare të BE-së”, u shpreh Hahn.
Sipas tij, marrë parasysh rastet e fundit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, edhe pas përmbushjes së dy kritereve të fundit, procesi deri në heqjen e vizave për Kosovën mund të marrë kohë.
Komisioneri për Zgjerim i BE-së u adresoi mesazhe të gjitha qeverive dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, që t’i vazhdojnë reformat evropiane, në mënyrë që ta përshpejtojnë rrugën e integrimit të vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Kohë më parë, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogerini, ka inkurajuar kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të angazhohen më shumë për përmbushjen e synimeve për përafrim me Bashkimin Evropian.
Gjatë një takimi jo formal që Mogherini pati zhvilluar në Bruksel me kryeministrat nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Maqedonia, ajo kishte adresuar sugjerime liderëve ballkanik t’i vazhdojnë reformat evropiane./REL
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...