Komuna e Ferizajt rikthen në punë zyrtarin e dënuar

22:21 | 5 Qershor 2017
M. A.

Muhamet Kalanica, zyrtar i Drejtorisë së Bujqësisë në kuadër të mbrojtjes së pyjeve, kishte përdorur disa herë pozitën e tij zyrtare me marrje të mitos apo ryshfetit.

Këtë ia kishte konfirmuar edhe Gjykata Themelore në Ferizaj, për çka e kishte dënuar një herë me gjobë e herën e dytë me burgim prej gjashtë muajsh, raporton KTV.

Më pas, Gjykata, pavarësisht veprës penale të vërtetuar, vendosi që ai të mbrohet në liri, gjë që atij komuna ia mundësoi kthimin në vendin e njëjtë të punës.

Të vetmen masë disiplinore, të cilën e kishte marrë Komisioni Disiplinor kundër Kalanicës, ishte ndërrimi i zyrës.

Një vendim të tillë, Shoqëria Civile e quan direkt kontribut të rritjes së nivelit të korrupsionit.

Zyrtarët ligjorë në këtë komunë vendimin e tyre e arsyetojnë në bazë të ligjit për shërbyesit civilë, sipas të cilit, shkëputja e marrëdhënies së punës mund të bëhet vetëm në rast të dënimit nga Gjykata për vepër penale me burgim për gjashtë muaj e më tepër.

Opozita thotë se një vendim i tillë tregon nivelin e qeverisjes së keqe në këtë komunë.

Kohavisioni ka kontaktuar edhe teknikun e pyjeve, Muhamet Kalanica, por ai ka thënë se nuk dëshiron të komentojë lidhur me vendimin e komunës për kthimin e tij në vendin e punës, pavarësisht dënimit me burg.

TEMAT:KOMUNA E FE

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme