Google ADS

Partitë politike “harrojnë” premtimin për bashkimin e Mitrovicës

18:11 | 5 Qershor 2017
Arbresh.info

Partitë politike janë duke vazhduar intensivisht fushatën zgjedhore, duke zhvilluar kështu takime të shumta në gjithë Kosovën, me premtime të mëdha.

Por, për dallim nga fushatat e kaluara zgjedhore, në këtë fushatë nuk po dëgjohen shumë premtimet për bashkimin e Mitrovicës.

E kjo gjë, sipas analistëve po shihet si një këndellje e klasës politike.

Njohës i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu për Indeksonline thotë se mospërfshirja e premtimeve për bashkim të Mitrovicës është normale, pasi janë vetë këta politikanë të cilët e kanë ndarë atë.

“Klasa politike është këndellur pak dhe ne si komb jemi ngritur në këmbë dhe rrenat nuk pinë më ujë. Ka përfunduar muhabeti i Mitrovicës, ka vdekur Mitrovica më. Mos përfshirja e saj në fushatë është normale, sepse ata që e kanë shkatërruar Mitrovicën e kanë shkatërruar dhe s’kanë mundur ta mbrojnë, dhe këtij muhabeti i ka vdekur nëna. Për ta bashkuar Mitrovicën duhet ndryshuar Kushtetua e Kosovës, një gjë që e nënshkruan me dorën tënde nuk mund ta kthesh prapa”, ka thënë Spahiu.

Ndërsa sa u përket zgjedhjeve të 11 qershorit, Spahiu thotë se nuk mund të paragjykojë se kush do fitojë. Megjithatë, sipas fushatës që është zhvilluar deri më tani, Spahiu beson që Vetëvendosje ka shënuar rritje të madhe të elektoratit.

“Nuk mund të gjykoj se kush mund të jetë i pari, por ashiqare po shihet se Vetëvendosje e ka marrë një pjesë të madhe të elektoratit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në bazë të asaj që po shoh, Vetëvendosje do të ketë rritje të madhe e sa do të jetë kjo, mbetet të shihet në zgjedhjet e 11 qershorit”, ka shtuar ai.

Ndryshe, kanë mbetur vetëm edhe katër ditë nga fushata zgjedhore, ku partitë politike kanë të drejt të kërkojnë votën nga qytetarët./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme