Veseli e Haradinaj, marrëveshje mirëkuptimi me SBASHK-un

11:16 | 5 Qershor 2017
Arbresh.info

Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me SBASHK-un. Me këtë rast, i pari i PDK-së, Kadri Veseli, premtoi se çështja e njohjes së stazhit për punëtorët e viteve të 90-ta do të rregullohet në tre muajt e parë të qeverisjes së tyre.

“Brenda tre muajve ligji për stazhin e punës për punëtorët e viteve të 90-ta do të rregullohet me ligj”, u shpreh Veseli. Ai u shpreh se kjo marrëveshje është vazhdimësi e bashkëpunimit të mëparshëm me SBASHK-un.

“Këta njerëz kanë nevojë për përkrahje dhe do të kenë përkrahjen tonë…. Ne do të përfshijmë 30 përqind rritje për pagat e punonjësve të arsimit, ashtu sikurse edhe në sektorët e tjerë publik”, u shpreh Veseli.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, u shpreh se me arritjen e kësaj marrëveshje janë plotësuar kërkesat e të dyja palëve.

“Me këtë marrëveshje po krijohen kushtet që të punohet në çështjet më të rëndësishme. Sot, iu japim premtimin se më nuk do të jenë vet”, tha Haradinaj.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, u shpreh i kënaqur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, duke thënë se më në fund ligji i viteve të 90-ta do të shkojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme