Google ADS

Ndahen 125 mijë euro për ngritjen e cilësisë së prodhimeve vendëse

19:54 | 4 Qershor 2017
M. A.

Agjencia për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka shpallur ftesën për subvencionim të kompanive që duan t’i rrisin kapacitetet prodhuese dhe sidomos ato që duan të eksportojnë në tregun e BE-së.

Për këtë projekt, kjo agjenci ka ndarë 125 mijë euro, ndërsa afati për konkurrim është deri më 16 qershor, raporton KTV.

Zyrtarë të saj kanë thënë se me këtë po synojnë të rrisin kapacitetin prodhues dhe cilësinë e produkteve.

Besian Mustafa, drejtor i KIESA-s, ka thënë se kanë edhe marrëveshje me BERZH-in që t’u ofrojnë konsulencë bizneseve rreth planit të implementimit për të aplikuar në certifikimin e produkteve të tyre.

E njëjta ministri ka ndarë mbi 100 mijë euro për të aplikuar për anëtarësim në një projekt të BE-së, përmes të cilit do t’u mundësohet NVM-ve vendëse të nxjerrin financim nga BE-ja dhe mundësi të lidhjes së bashkëpunimit me kompanitë evropiane.

Një hap i tillë është mirëpritur nga shoqatat e biznesit, mirëpo thonë se si iniciativë është shumë e vonuar.

Sipas tyre, kjo është dashur të ndodhë shumë më përpara se të nisë aplikimi i MSA-së.

I vetmi sektor që mund të konkurrojë, por që nuk do të mund të përfitojë nga certifikimi është ai i qumështit, pasi vendi ynë ende nuk është liruar nga disa sëmundje që do ta mundësonin eksportin e prodhimeve me prejardhje shtazore.

Në kohën kur ishte përmendur nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, shumë prodhues të vendit i kishin kërkuar qeverisë të mos ngutej, pasi ata nuk ishin ende të gatshëm të hynin në garë me kompanitë nga tregu i madh i BE-së.

Sipas të dhënave të Tregtisë së Jashtme për muajin prill, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6.3 milionë euro, me një rritje prej 4.7%.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 108.5 milionë euro me një rritje prej 3.4%.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme