Juventus ishte sërish në një finale Championsi, por sërish dështoi. Një fatkeqësi që i ka fillesat nga viti i largët 1973, por që prej vitit ’97 po kthehet në një makth për torinezët.
Ajo e Kardifit ishte finalja e 9 në total për Juventusin në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë, por nga këto ka fituar vetëm dy.
Ndërkohë që, nga viti ’97 kundër Dortmundit si kampione në fuqi, më pas në ’98-n, 2003-shin dhe 2015-n, për të mbërritur mbrëmjen e djeshme në Uells, Juventus nuk ka mundur të ngrejë në qiell kupën “me veshë të mëdha”.
Më poshtë janë edhe finalet e humbura nga Juventus
Beograd, 30 maj 1973
Ajax-Juventus 1-0. Johnny Rep vendos pas vetëm 4 minutash, finalen e parë në historinë e bardhezinjve. Ai që do të ngrinte lart trofeun ishte kapiteni holandez, Johan Cruyff, pasi kishte shkëmbyer fanellën me një lojtar të Juventusit.
Athinë, 25 maj 1983
Hamburg-Juventus 1-0. Pasi eliminuan polakët e Ëidzeë Lodz në gjysmëfinale, Juventusi i drejtuar nga Trapattoni u vu përballë gjermanëve. Ai që vendos është sërish një gol i hershëm, i shënuar nga Felix Magath në minutën e 9.
Mynih, 28 maj 1997
Borussia Dortmund-Juventus 3-1. Bardhezinjtë kampionë në fuqi dorëzohen përballë golave të Riedle dhe Ricken.
Amsterdam, 20 maj 1998
Juventus-Real Madrid 0-1. Me sulmues lojtarë si Zidane, Del Piero dhe Inzaghi, Juve konsiderohej pretendente, por ai që ndëshkoi bardhezinjtë ishte Pedrag Mijatoviç në minutën e 67.
Manchester, 28 maj 2003
Juventus-Milan 2-3 pas penalltive. Finalja e parë e gjitha italiane në histori u mbyll me shifrat 0-0 në 120 minuta lojë. Nga gjuajtjet e 11-metërshave, Dida u kthye në hero teksa hipnotizoi Trezeguet, Zalayetën dhe Monteron, ndërsa heroi i heronjve u kthye Shevchenko pas realizimit të penalltisë vendimtare, duke i dhënë Milanit trofeun e 6 në Champions League.
Berlin, 6 qershor 2015
Juventus-Barcelona 1-3. Pas golit të shënuar nga Rakitiç për katalanasit, Juventus arrin të barazojë falë Alvaro Moratës. Megjithatë, Suarez dhe Neymar shuan çdo shpresë për juventinët dhe shpallën triumfues blaugranat.
Kardif, 3 qershor 2017
Juventus-Real Madrid 1-4. Dygolëshi i portugezit Cristiano Ronaldo dhe golat e Casemiros dhe Asensios i japin një goditje tjetër ekipit torinez. Kjo është finalja e 7 e humbur nga 9 të zhvilluara, si dhe e pesta radhazi.