“Aplikoni për pasaportën zvicerane, para se të ashpërsohen kriteret!”

16:54 | 3 Qershor 2017
Arbresh.info

Faktet tregojnë në mënyrë mjaft të qartë se të gjithë përfitojnë nga natyralizimi i atyre që kanë plotësuar kushtet”, citohet anëtarja e ekzekutivit të Kantonit të Cyrihut, Jacqueline Fehr, e cila vjen nga SP.

Ndërsa krejt ndryshe mendon SVP!

Duke u nisur nga fakti se kriteret për natyralizim (fitim të pasaportës zvicerane) nga viti 2018 do të jenë më të ashpra, disa kantone dhe komuna në Zvicër kanë filluar t`i informojnë bashkëqytetarët e tyre me prejardhje të huaj që sa më shumë prej tyre të natyralizohen me kriteret ende në fuqi, shkruan srf.ch në një vështrim të saj të gjerë. Siç dihet, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, të drejtë për të kërkuar pasaportën zvicerane do të kenë vetëm të huajt me leje të përhershme qëndrimi (Vizë C).

Por, kjo qasje nuk ka kaluar pa reagime: në Cyrih, për shembull, reagimi ka ardhur nga ana e SVP-së. Nga ana tjetër, në Gjenevë, ku stimulimi i të huajve për t`u natyralizuar “ka traditë”, as politikanët e djathtë nuk e kuptojnë këtë reagim të SVP-së së Cyrihut.

“Faktet tregojnë në mënyrë mjaft të qartë se të gjithë përfitojnë nga natyralizimi i atyre që kanë plotësuar kushtet”, citohet anëtarja e ekzekutivit të Kantonit të Cyrihut, Jacqueline Fehr, e cila vjen nga SP (Partia Socialdemokrate), transmeton albinfo.ch. Të gjithë ata që “bëhen” zviceranë, janë më pak të varur nga shteti dhe mund të bashkëvendosin për çështjet politike. Kjo e forcon demokracinë”, thotë Fehr. Dhe kjo ka qenë arsyeja që znj. Fehr ka kërkuar nga komunat brenda Kantonit të Cyrihut që t`i informojnë qytetarët me prejardhje të huaj lidhur me ndryshimin (ashpërsimin) e ligjit. Shkresën e dërguar ajo e ka shoqëruar me një letër model se si të veprohet. Duke u bazuar në këtë veprim, qyteti i Cyrihut pastaj e ka dërguar në adresat e 40 mijë qytetarëve me prejardhje të huaj një letër me modelin dhe skicën për të bërë kërkesën për pasaportë të Zvicrës, për çfarë ka shkruar tashmë edhe albinfo.ch. Si reaksion, janë regjistruar dukshëm më shumë kërkesa të tilla se në periudhën paraprake.

Dhe, kundërshtimi për gjithë këtë ka ardhur andej nga edhe pritej. Deputeti nacional i SVP-së, Mauro Tuena, i cili njëherësh është edhe kryetar i SVP-së për qytetin e Cyrihut thotë se ky aksion është tërësisht i gabuar. Sipas tij, ka qenë parlamenti nacional që ka vendosur për një ashpërsim të praktikës së natyralizimit. “Ndërsa tash janë qeveritë e majta (të kantoneve ose komunave) që duan ta evitojnë këtë ashpërsim”. Ai thotë se kjo ka të bëjë më së shumti me të huajt me vizë F (azilkërkues me qëndrim të përkohshëm). “Pikërisht këta njerëz duan t`i natyralizojnë sa më shpejt”.

Ndryshe mendojnë në Gjenevë. Drejtori për siguri i këtij kantoni, politikani i djathtë nga PLR/FDP Pierre Maudet u qaset madje në mënyrë edhe më aktive personave që plotësojnë kushtet për t`u natyralizuar. Departamenti që udhëheq ai, ka dërguar tashmë shumë shkresa, ka shtypur fletëpalosje dhe ka qenë shumë i pranishëm në media. Aktualisht në Gjenevë, kriteret për natyralizim i plotësojnë rreth 90 mijë të huaj, ka thënë Maudet. Por, dhjetë për qind të tyre, vitin e ardhshëm, me ligjin e ndryshuar nuk do të kenë këtë të drejtë, pasi që kanë vetëm vizat B ose F.

“Kush natyralizohet, duhet të përpiqet më shumë të mësojë gjuhën dhe të integrohet”, thotë ai, përcjell albinfo.ch. Prandaj për politikanin nga Gjeneva është një “marrëzi e qartë” të jesh kundër natyralizimit.

Një strategji të ngjashme aktive për stimulimin e natyralizimit është duke e ndjekur prej disa vitesh edhe kantoni i Bazelit (Baselstadt). Një herë në vit mbahet një aktivitet informativ ndërkohë që për çdo vit në adresat e atyre që kanë plotësuar shkojnë shkresa përkatëse.

Vetëm Berna nuk planifikon të ndërmarrë asgjë në këtë drejtim. Sipas përgjegjësve të këtij kantoni, kriteret për natyralizim, edhe tash janë ngjashëm të ashpra sikur që do të jenë edhe me ligjin e ri, përcjell albinfo.ch shkrimin e srf.ch. Ndërkohë, kriteret në këtë kanton janë edhe më të ashpra se në nivel federal. Për shembull, për t`u natyralizuar në Bernë duhet t`i kthesh ndihmat sociale që ke marrë në dhjetë vitet e fundit, ndërsa në nivel të Zvicrës kjo kërkohet vetëm për tri vitet e fundit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme