Google ADS

Mustafa beson se LALA ka vullnetin dhe forcën për të fituar në zgjedhje

18:18 | 2 Qershor 2017
Arbresh.info

Kryeministri Isa Mustafa është shprehur i bindur se koalicioni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR), Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi do të shënojë fitore të thellë në zgjedhje, sepse ky ekip ka vullnetin dhe forcën për të fituar në zgjedhje.

“Jam i bindur se më 11 qershor do të shënojmë fitore. Vetëm qytetarët si ju e sjellin fitoren, duke i përkrahur deputetët që i kemi në listë nga LDK, AKR, Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi në krye me kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti”, ka thënë Mustafa.

“Jemi të përkushtuar të krijojmë një shtet të së drejtës, të zhvilluar, të perspektivës me këta të rinj që po i shohim këtu dhe gjithandej Kosovës, do të kujdesemi që Kosova të ketë sovranitet të plotë, të ketë marrëdhënie tdemokratike dhe të gjitha këto i ka në programin e tij qeverisës kandidati ynë”.

Ai ka kërkuar nga qytetarët të votojnë për Avdullah Hotin dhe këtë koalicion, pasi në këtë mënyrë do të votojnë për perspektivën dhe ardhmërinë e vendit.

Të pranishmëve u është drejtuar edhe kandidati për kryeministër, Avdulla Hoti.

“Është kënaqësi që jemi këtu para jush me kryeministrin tonë, me partnerët e koalicionit, me vajzën e Presidentit Rugova. Po mundohemi që në takimet tona të komunikojmë me qytetarët dhe t’u tregojmë kush jemi ne dhe çfarë përfaqësojmë ne, e jo të komunikojmë me sllogane të ndryshme siç jemi mësuar të dëgjojmë”, ka thënë Hoti.

Ai i ka siguruar qyetarët e Zhurit se ky koalicion është zgjidhja më e mirë për vendin.

Ai e ka pasur edhe një premtim konkret për banorët e Zhurit.

“Jemi në një lokalitet të veçantë dhe e dimë kërkesën tuaj për themelimin e Komunës së Zhurit. U garantojmë se do ta shqyrtojmë këtë kërkesë me shumë kujdes dhe çdo kërkesë eventuale që ka edhe gjithandej Kosovës. Të jeni të bindur se këto premtime nuk janë vetëm premtime fushate siç jeni mësuar t’i dëgjoni në tri fushatat e fundit, por premtime që ky koalicion do t’i realizojë”, ka premtuar Hoti.

Përkrahjen e plotë për të e ka shprehur edhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli.

“AKR-ja ka vendosur të mbështesë Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm. Me profesorin e nderuar do të shihni se është një qeverisje ndryshe, që udhëhiqet me dituri, me përkushtim, pa hajni, pa zhvatje, pa korrupsion. Të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët e duan një Kosovë dinjitoze, që me 11 qershor të votojnë këtë koalicion”, ka thënë numri një i AKR-së.

Disa fjalë për të pranishmit i ka thënë edhe përfaqësuesi i Alternativës, Ilir Deda.

“E kemi pasur shumë lehtë të merremi vesh për kontratën me ju. Me këtë kontratë, ne zotohemi se nuk e mashtrojmë qytetarin, por punojmë për ta nxjerrë Kosovën nga kjo baltë në të cilën ndodhet. Prandaj, 109 kandidatët që janë në listë e përkrahin Avdullah Hotin për kryeministër të Kosovës. 11 qershori është ditë vendimtare. Ne duhet t’i themi stop të keqes, pikërisht në 18 vjetorin e lirisë së Kosovës. Nuk mund të qëndrojmë në shtëpi dhe të presim edhe 4,8 apo 12 vjet për ta bërë ndryshimin”, ka thënë Deda, derisa Sylejman Qerkezi nga Lëvizja për Drejtësi, është shprehur: “Ne si koalicion jemi mbështetur në emër të një çështjeje, në emër të moralit. Është hera e parë që një koalicion i gjërë e di se çfarë do dhe ka vendosur t’i dalë përballë të keqe, por edhe për ta luftuar atë. E keqja nuk luftohet duke biseduar në kafene e shtëpi. E keqja luftohet në Kuvend dhe në Qeveri. Ka vetëm një formulë. E keqja ose luftohet, ose përkrahet. Për ta luftuar duhet të përgjigjemi me votë, për ta përkrahur e dini si bëhet. Edhe ata që heshtin e përkrahin të keqen. Është momenti ta luftojmë të keqen. Urime Ramazani dhe urime fitorja”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme