Deputetja e Parlamentit Evropian Urlike Lunacek është treguar e rezervuar kur u pyt se sa ka rëndësi për BE’në nëse Vetëvendosje me të nominuarin për kryeministër, Albin Kurtin i fitojnë zgjedhjet.
Ajo thotë që nuk preferon të jap rekomandime pasi tani është kohë fushate.
Megjithatë, Lunacek ka bërë të qartë kërkesën: Kushdo që i fiton zgjedhjet, të jetë i vendosur në orientimin pro integrimit në BE.
Gazeta Metro ju sjell më poshtë intervistën e përkthyer të Lunacekut:
Zonja Lunacek, çfarë pritni prej zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë më 11 qershor?
Urlike Lunacek: Pres që gjatë kampanjës zgjedhore, të gjithë ata që kandidohen, pavarësisht se cilës parti apo koalicion i përkasin, të thonë qartë se ende dëshirojnë të shkojnë kah rruga evropiane. Para se gjithash duhet të obligohen që, nëse zgjidhen, do të përmbushin të dy kushtet për liberalizim të vizave (zgjidhja e çështjes së kufirit me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit, v. j.) i cili është më i rëndësishmi për qytetaret dhe qytetarët e Kosovës.
Përveç kësaj, shpresoj që deri në fund të kampanjës do të jetë qetë dhe në shenjë të bashkëpunimit, pa kërcënime apo madje dhunë. Edhe më herët ka pasur zgjedhje në Kosovë në të cilat ka qenë atmosfera e qetë, shpresoj se edhe këtë herë do të jetë kështu.
Në lojë është edhe forca e tretë politike, Vetëvendosja e Albin Kurtit, e cila e hedh poshtë këtë marrëveshje. Sa është për BE’në e rëndësishme se kush do të fitojë në zgjedhje?
Urlike Lunacek: Nuk dua tu jap rekomandime votuesve. Por gjithmonë kam thënë, si edhe shumica në Parlamentin Evropian, Komision dhe Këshillë të Bashkimit Evropian, se duam që qeverinë të udhëheq dikush i cili qartë do të thotë se rruga evropiane është qëllimi i qartë i Kosovës. Të përkujtoj se këtë javë më në fund u vendos për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e Bashkimit Evropian. Pra, kjo është shumë me rëndësi për kulturë, arsim, ekonomi. Shpresoj që pas zgjedhjeve do të gjendet shumica në Kuvend e cila do të formojë qeverinë e cila do të shkojë tutje në rrugën evropiane në interes të qytetareve dhe qytetarëve.
Kjo rrugë përfshin edhe liberalizimin e vizave të cilin e presin qytetarët me vite. Ky duhet të ishte prioritet.
Kuptoj se nuk dëshironi të flisni për emra. Por a mund të paramendoni negociata të suksesshme nëse duhet të kryejnë Vucic dhe Haradinaj apo Vucic dhe Kurti?
Urlike Lunacek: Do të kuptoni se nuk dëshiroj të jap rekomandime në këtë apo atë drejtim. Këtë nuk e bëj para zgjedhjeve. Për këtë duhet të vendosin qytetarët e Kosovës.
Ju keni qenë shpesh në Kosovë gjatë zgjedhjeve si vëzhguese. Si ju duket rrjedha e gjertanishme e kampanjës?
Urlike Lunacek: Sa kam mundur të shoh, përgatitjet janë duke shkuar mirë. Nga listat zgjedhore janë hequr emrat e të vdekurve. Është me rëndësi që politikanët mos të japin premtime për të cilat është e qartë se nuk mund t’i përmbushin. Banorët e Kosovës nuk e meritojnë që t’iu premtohen “pallate e qytete” edhe pse është e qartë se është joreale. Kjo është kërkesa ime apo dëshira ime e drejtuar kandidateve dhe kandidatëve.
Çfarë mendoni saktësisht kur thoni që të gjithë duhet të përmbushin dy kushte të njohura? Në publik ekzistojnë qëndrimet e kundërta mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Urlike Lunacek: E di që ekzistojnë qëndrimet e ndryshme, por kusht është ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi me dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës. Këtë marrëveshje e ka nënshkruar më 2015 qeveria e Kosovës në të cilën kanë qenë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kushti i dytë është se duhet të ekzistojë lista me dënime, pra jo vetëm të proceseve të iniciuara, mbi rastet e mëdha të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pra, demarkacioni është vetëm njëri nga kushtet. Është interesant se PDK dhe LDK i kanë koalicionet e veta me nga dy parti të tjera. Shefat e tyre atëherë e kanë nënshkruar marrëveshjen e kufirit. Pra, ata tashmë duhet t’u bëjnë me dije partnerëve të koalicioneve se ajo marrëveshje duhet të ratifikohet. Shpresoj që shefat e tanishëm të këtyre dy partive do ta bëjnë këtë.
Sa mund të merret seriozisht premtimi se liberalizimi i vizave do të vijë tre muaj pas zgjedhjeve?
Urlike Lunacek: Për këtë edhe po flas: banorët e Kosovës shpesh kanë përjetuar që para zgjedhjeve të jepen premtime të cilat nuk mund të përmbushen. Kjo nuk është reale. Sa më shpejtë Kuvendi i Kosovës të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi dhe sa më shpejt të kemi listën me dënime, aq më shpejt institucionet evropiane do të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Mendoj se askujt nuk i ndihmon në kampanjë që merret me afate. Shumë më mirë është të thuhet: po, do të ratifikojmë marrëveshjen dhe po, do ta krijojmë listën me dënime. Kjo është ajo që votueset dhe votuesit presin.
Flasim për dy tema të mëdha, kufirin dhe luftën kundër korrupsionit, por edhe një detyrë e madhe është dialogu me Serbinë. Ka parti të cilat e sjellin në pikëpyetje Marrëveshjen e Brukselit. A janë të mundur negociatat e reja për tema të njëjta apo edhe këtu është në pyetje premtimi joreal nga kampanja?
Urlike Lunacek: Konsideroj që është e nevojshme që të zbatohet ajo që është marrë vesh në dialog deri tani. Si nga ana e Republikës së Kosovës, me qëllim po them Republikës, ashtu edhe nga ana e Serbisë. Këtu diçka po mungon. Sinqerisht, nuk dua të dëgjoj se duhet të negociohet prej fillimit. Fjala është për atë që duhet të përmbushet ajo që është premtuar dhe negociuar. Kjo vlen për të dyja palët. Në Parlamentin Evropian shumë qartë e themi se kjo vlen edhe për Serbinë, pra nuk jemi të njëanshëm por vërejmë se Serbia ka shumë çka të përmbush. Mendoj se edhe Serbia edhe Kosova tashmë kanë humbur shumë kohë sepse nuk kanë implementuar atë për çka është marrë vesh. Pra jo negociata të reja por zbatim, zbatim, zbatim.
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...