Tahiri njofton Bashkimin Evropian për ndalesën e vizitës së Jahjagës në Serbi

10:50 | 2 Qershor 2017
Arbresh.info

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka njoftuar Bashkimin Evropian për ndalesën e vizitës së ish Presidentes, Atifete Jahjaga, në Beograd nga ana e autoriteteve të Serbisë, duke theksuar se me këtë akt refuzimi Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve.

Ajo ka thënë se zonja Atifete Jahjaga kishte respektuar procedurat zyrtare të parapara në Marrëveshjen e Brukselit dhe se vizita e saj ishte për qëllime kulturore dhe humanitare, për të paraqitur tragjedinë e grave të mbijetuara nga dhunimet seksuale gjatë luftës në Kosovë nga ana e forcave serbe, në një ngjarje kulturore në Beograd, transmeton arbresh.info.

Ministrja Tahiri theksoi se akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i Dialogut të lehtësuar nga BE.

Ministrja Tahiri kërkoi nga BE-ja që të ndërhyjë në zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më parë që të jetë e mundur si dhe të mundësohet kjo vizitë që është në funksion të paqes dhe fqinjësisë mes dy shteteve./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme