Basha flet për marrëveshjen me Ramën

09:55 | 2 Qershor 2017
Arbresh.info

Lulzim Basha deklaroi në ‘Top Story’ se pakti me Ramën përfshin edhe ndryshimet kushtetuese të zgjedhjes së deputetëve drejtëpërdrejtë nga populli. Basha foli për vendosjen e një parimi, që i merr deputetit abuzues mandatin, pa mbaruar afati. Kreu i opozitës deklaroi edhe qëndrimin ndaj Soros. Ndërsa ftoi në debat, në ‘Top Channel’, kryeministrin Rama.

Kreu i opozitës shpjegoi në ‘Top Story’ një nga pikat më të forta të marrëveshjes me Edi Ramën, atë të ndryshimeve në kushtetutë.

“Deputetët do të zgjidhen drejtëpërdrejtë nga njerëzit. – keni rënë dakord për sistem mazhoritar? Për sa më takon mua po. Ne kemi rënë dakord edhe për parimin ‘recall’, që do të thotë, bëre premtimin, nuk mbajte premtimin, nuk vajte në zonë të takosh njerëzit, nuk përfaqëson njerëzit, por përfaqëson filan biznesmen apo filan trafikant, apo je thjesht kukull në duart e kryetarit të partisë, qytetarët do të kenë të drejtë, që akoma pa të mbaruar mandati, të të shkarkojnë dhe të zgjedhin dikë tjetër. Kjo do të jetë në Kushtetutë”, tha Basha.

Por çdo të bëjë PD nëse numrat i sjellin nevojën e një koalicioni pas zgjedhjeve?

“Pazari i vjetër politik, ka marrë fund një herë e përgjithmonë. Koha e pazarit të vjetër ka mbaruar. Hidhe në Bunë votën, hidhe në Vjosë votën, por mos e ço te matrapazët, se koha e matrapazëve ka mbaru. – koha e LSI? Koha e matrapazëve ka mbaru”, tha Basha.

Lulzim Basha hodhi poshtë ndikimin e Soros në formimin e listave për deputet të PD-së, por ndryshe nga tonet e 3 muajve në çadër, thotë se nuk ka asgjë kundër tij personalisht.

“Unë nuk kam asgjë personale kundër Xhorxh Sorosit. Unë kam një kundërshtim për mënyrat okulte të investimit dhe të influencimit në politikë. Nëse e bën Sorosi, apo e bën një grup i caktuar fetar apo ideologjik, pak rëndësi ka. Çelësi i demokracisë është transparenca me publikun”, u shpreh Basha.

Lulzim Basha që prej disa ditësh i ka bërë ftesë Edi Ramës, që të bëhen të dy, pjesë e një debati televiziv, i dha edhe një formë kësaj ftese.

“Unë kam pesë ditë që e ftoj në debat dhe dua ta ftoj edhe nga studioja jote. Nuk ndjehet komod ta bëjë debatin në Sheshin e Flamurit, ku është edhe deputet, nuk ndjehet komod ta bëjë debatin në Shkodër?, ta bëjë këtu në Top Channel. Ta bëjmë këtu debatin e parë, Edi Rama. Këtu t’i japim shqiptarëve debatin që meritojnë. Bilancin tënd, bilancin tim, programin tënd, programin tim”, tha Basha në kërkesën e tij për kryeministrin. /TopChannel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme