Maqedonia me qeveri të re, Zoran Zaev zgjidhet kryeministër

23:59 | 31 Maj 2017
Trina Galanxhi

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 62 vota pro dhe 44 kundër dhe 5 të përmbajtur votoi Qeverinë e re me në krye Zoran Zaev.

Ndërkohë më poshtë sjellim edhe emrat e ministrave të kabinetit të ri qeveritarë.

  • Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm
    Spasovski ishte Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë teknike pas Marrëveshjes së Përzhinës, deputet, këshilltar dhe sekretar në Komunën e Kumanovës.
  • Radmilla Sheqerinska, Ministre e Mbrojtjes
    Shekerinska përveç si ish-kryetare e partisë dhe ish-deputete në shumë mandate, njihet si ish zëvendës kryeministre për euro-integrime në vitin 2004, kur Maqedonia hyri në fazën e parë të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim me BE-në.
  • Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm
    Dimitrov njihet si negociator për kontestin e emrit; ish ambasador në SHBA dhe Holandë, përfaqësues i Maqedonisë në Organizatën për ndalim të armëve kimike, bashkë-agjent i Maqedonisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ish shef i kabinetit për siguri kombëtare, ish zv/ministër i punëve të jashtme, ndërsa kishte refuzuar emërimin e tij si ambasador në Rusi.
  • Dragan Tevdovski, Ministër i Financave
    Tevdovski është doktor i Shkencave ekonomike dhe punon si profesor në Fakultetin ekonomik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”. Ai ka realizuar 5 qëndrime studentore jashtë vendit dhe ka qenë student me mesatare maksimale.
  • Renata Deskoska, Ministre e Arsimit.
    Deskovska është profesoreshë universitare në Fakultetin Juridik, ish deputete, ish këshilltare për çështje kushtetuese dhe juridike në Kabinetin e Presidentit, eksperte e UNDP-së për Kornizë ligjore dhe dialog ndër-etnik, anëtare e komisionit ad hoc për hetimin e ngjarjeve të 24 dhjetorit të vitit 2012.
  • Goran Sugarevski, Ministër për Transport dhe Lidhje
    Ish deputeti, Sugareski në përbërjen e kaluar parlamentare ishte koorditor i grupit parlamentar të LSDM-së. Njëherësh u shqua si deputeti që ka bërë më së shumë propozim-ligje dhe ka parashtruar më shumë pyetje. Ka qenë anëtare në Këshillin e Komunës së Prilepit.
  • Ljupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit

Nikollovski ishte sekretar i përgjithshëm i LSDM-së dhe ish zëvendës-ministër plotësues për Bujqësi, Pylltari dhe Ujësjellës në Qeverinë teknike, ish-deputet dhe avokat.

  • Milla Carova, Ministre për Punë dhe Politikë Sociale
    Carovska ka qenë këshilltare speciale e Ministrit për Punë dhe Politikë Sociale dhe kryetare e Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale të LSDM-së.
  • Damjan Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike
    Mançevski ishte nënkryetar i LSDM-së, deputet, shef i shtabit zgjedhor, anëtar në Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe udhëheqës i Sektorit për të rinj në Agjencinë për të rinj dhe sport. Ka punuar si inxhinier në Agjencinë për komunikime elektronike.
  • Robert Allagjozovski, Мinistër i Кulturës
    Allagjozovskji është eseist, kritik letrar dhe përkthyes.
  • Edmond Ademi, ministër pa resor
    Ademi ka qenë këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme, drejtor general në Liberta Institutin për hulumtime politike dhe ekonomike, ish-asistent i ambasadorit në SHBA (2007-2009), ish-specialist për media/ diplomaci publike në ambasadën e SHBA-së në Shkup.
  • Koço Angjushev, ministër pa resor
    Angjushev është profesor i rregullt në Fakultetin Makinerik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, është autor i mbi 100 punimeve shkencore në lëmin e tij, ndërsa nën udhëheqjen e tij janë realizuar mbi 50 projekte në industri në sferën e makinerisë dhe energjetikës.
  • Robert Popovski, ministër pa resor
    Popovski ka qenë kryeredaktor i programit informative në Tv Sitell dhe ish kryeredaktor dhe drejtor programues në Televizionin Kanal 5.

Për ministra pa resor nga kjo parti u propozuan edhe Adnan Qahil, Samka Ibrahimovski, Zorica Apostollovska si dhe Zoran Shaporiç.

Të zgjedhurit e BDI-së janë: 

  • Hazbi Lika, Zëvendës-kryeministër për Sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve
    Lika që nga viti 2009 nuk ka qenë aktiv as në parti e as në jetën politike. Ai më herët ka ushtruar postin e kryetarit të Komunës së Tetovës. Në vitin 2003 ka qenë zëvendësministër i Brendshëm, periudhë që shquhet për punësimin e policëve shqiptarë me libreza partiake.
  • Bujar Osmani, Zëvendës kryeministër për euro-integrime.
    Osmani kohë të gjatë është zëdhënës i partisë ndërsa paraprakisht ishte Ministër i Shëndetësisë. Osmani përmendej edhe në bombat e opozitës.
  • Sadulla Duraku, Ministër të ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor
    Duraku është nënkryetari i BDI-së dhe njëherit kryetar i Komunës së Likovës. Paraprakisht Duraku ka drejtuar Ministrinë e Bujqësisë dy vite resht.
  • Ramiz Merko, ministër pa resor
    Kundër ish-deputetit dhe ish-kryetarit të Komunës së Strugës, Merko kohë më parë prokuroria ngriti padi për shpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare.
  • Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë
    32 vjeçari, Bekteshi ka ushtruar funksionin e promotorit ekonomik në Bruksel dhe Bern.
  • Bylent Salihu, Ministër i Drejtësisë
    Salihu fillimisht ka qenë drejtor në NP “Komunale” në Vrapçisht, pastaj drejtor në Inspektoratin e Gjuetisë dhe Pylltarisë të Maqedonisë.

Propozimet e Aleancës për Shqiptarët janë:

  • Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë
    Taravari njihet si ish kryetar i Bordit në Klinikën Universitare për Neurologji, profesor i neurologjisë dhe pediatrisë, anëtar i bordit të revistës mjekësore “Vox Medici” dhe revistës ndërkombëtare mjekësore “Medikus”.
  • Suhejl Fazliu, Ministër i vetëqeverisjes lokale
    Fazliu ishte konsulent i pavarur në E-qeverinë, shërbime për vetëqeverisje lokale për më shumë shtete, konsulent i pavarur në E-Tregti, shërbime për ndërmarrje publike për më shumë shtete; konsulent i pavarur për teknologji informatike dhe ëeb aplikacione për kompani të ndryshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme