Marrëveshja për klimën, BE gati të marrë rolin e liderit

22:48 | 31 Maj 2017
Trina Galanxhi

Tërheqja e shteteve te bashkuara nga marrëveshja klimatike e Parisit do të ishte zhgënjyese, por BE është gati për të marrë rolin e liderit global lidhur me çështjen.

Kështu i është përgjigjur Komisioneri Europian për energjinë Maros Sefcoviç raportimeve në mediat se Washington do të tërhiqej zyrtarisht nga marrëveshja.

Duke u treguar besimplotë në aftësinë e vendeve të tjera për të marrë timonin, ai shtoi se nëse Donald Trumpi do të vendose ta bëjë këto, kjo nuk do te ishte një katastrofe për njerëzimin.

“Unë e kuptoj se nëse ata do të tërhiqeshin do të ishte vërtet zhgënjyese, por nuk mendoj se ky do të ishte fundi i botës. Europa është gati për lidership dhe do ta tregojmë këtë”, u shpreh Maros Sefcoviç.

Marrëveshja klimatike e Parisit e firmosur në vitin  2015-të nga rreth 200 vende synon të kufizojë ngrohjen globale duke reduktuar dioksidin e karbonit dhe emetime të tjera nga karburante fosile. Ndërkaq presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker paralajmëroi se tërheqja e SHBA nga ujdia e Parisit nuk është një proces aq i thjeshtë, e sipas tij do te duheshin vite për të shpëtuar nga detyrimet që rrjedhin nga nënshkrimi i saj.

“Nëse gjatë orëve apo ditëve në vazhdim presidenti amerikan do të tërhiqet nga marrëveshja atëherë është detyra e europës të thotë: Nuk funksionon kështu. Nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhmen e qytetareve europianë, por për popujt në të gjithë botën”, u shpreh Juncker.

Sipas ujdisë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë angazhuar të reduktojnë nga 26 deri 28 përqind të emetimeve deri në 2025. Tërheqja nga marrëveshja do të shënonte një tjetër hap të presidentit republikan drejt eliminimit të trashëgimisë së paraardhësit të tij demokrat Barack Obama, i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe e vlerësoi atë gjatë një udhëtimi në Europë këtë muaj. SHBA është emetuesi i dytë më i madh në botë i dioksidit të karbonit, pas Kinës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme