Google ADS

Kryeprokurori i shtetit takohet me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive

16:57 | 31 Maj 2017
Arbresh.info

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur sot takim pune me kryeprokurorët e prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit.
Gjatë këtij takimi sipas kërkesës së kryeprokurorit Lumezi të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, raportuan për muajin prill të këtij viti për punën e prokurorive që i drejtojnë, si dhe për punën e secilit prokuror të asaj prokurorie.

Nga paraqitja e këtyre raporteve u pa se gjatë muajit prill 2017 ka pasur rezultate të mira të punës dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha prokuroritë themelore, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe në Prokurorinë e Apelit.

Vetëm gjatë muajit prill shtatë prokuroritë themelore kanë pranuar në punë 2108 lëndë dhe kanë përfunduar 3140 lëndë, që do të thotë se prokurorët kanë përfunduar 1032 lëndë më shumë sesa kanë pranuar në punë.

• Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar në punë 550 lëndë dhe ka përfunduar 1124;

• Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar në punë 244 lëndë dhe ka përfunduar 431;

• Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar në punë 193 lëndë dhe ka përfunduar 195;

• Prokuroria Themelore në Gjakovë ka pranuar në punë 183 lëndë dhe ka përfunduar 175;

• Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pranuar në punë 138 lëndë dhe ka përfunduar 307;

• Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar në punë 393 lëndë dhe ka përfunduar 416;

• Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar në punë 407 lëndë dhe ka përfunduar 492.

Poashtu gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi i njoftoi kryeprokurorët se Këshilli Prokuorial i Kosovës, ka aprovuar procedurat standarde të veprimit për ngritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, i cili plan ka për synim ngritjen e efikasitetit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje gjatë procedimit të këtyre rasteve në prokurori. Andaj kryeprokurori Lumezi kërkoi që kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore të caktojnë nga një prokuror, me përjashtim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë që duhet të caktoj dy prokurorë, të cilët do të merren me trajtimin e lëndëve që kanë të bëjnë me dhunën në familje, me synim për ngritje të efikasitetit në trajtimin e këtyre lëndëve, duke siguruar që këto lëndë të trajtohen me prioritet. Këta prokurorë do të specializohen për rastet e dhunës në familje në pajtim me kërkesat që burojnë nga Strategjia kombëtare e Republikës së Kosovës për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Plani i veprimit 2016-2020.

Gjatë këtij takimi, kryeprokurori Lumezi kërkoi nga kryeprokurorët që t’i trajtojnë me prioritet edhe rastet që ndërlidhen me zgjedhjet, si dhe njoftoi se me qëllim të caktimit të obligimeve dhe detyrave në kuadër të projektit për mbrojtjen e votës ka aprovuar planin e veprimit për zgjedhjet nacionale në vend. Ky plan përcakton të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e koordinatorit nacional, menaxherit të projektit, kryeprokurorëve të prokurorive themelore, prokurorëve të angazhuar dhe stafit mbështetët të angazhuar në procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në fund të takimit kryeprokurori Lumezi njoftoi se është nënshkruar memorandum i mirëkuptimit në mes kryeprokurorit të Shtetit, Këshillit Prokuorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për aplikimin nga prokurorët dhe vendosjen nga ana e gjykatave për shitjen e aseteve, dhënies në shfrytëzim apo shkatërrimit të tyre. Kryeprokurori Lumezi kërkoi që në pajtim me këtë Memorandum, kryeprokurorët e të gjitha prokurorive të evidentojnë të gjitha rastet kur ka asete të sekuestruara, të cilat potencialisht mund të konsiderohen për tu shitur, dhënë në shfrytëzim apo për tu shkatërruar, para ose pas vendimit përfundimtar të gjykatës. Më pas ato raste kryeprokurorët t’i shpërndajnë tek prokurorët e rasteve, të cilët obligohen t’i paraqesin kërkesat për shitje të aseteve, dhënie në shfrytëzim apo shkatërrim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme