Google ADS

Alpinistët arrijnë nga maja e botës, organizohet pritje në aeroport

09:43 | 31 Maj 2017
Arbresh.info

Pas përfundimit të suksesshëm të ekspeditës që e çoi Kosovën në majën më të lartë në botë (Mount Everest), alpinistët e Klubit Alpin Prishtina (KAP), Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, do të arrijnë në Aeroportin e Prishtinës në orën 19:45, ku do të priten nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe bjeshkatarë e miq të natyrës.

Klubi Alpin Prishtina organizon transportin me autobusë për në Aeroport. Nisja bëhet nga parkingu përballë RTV 21, në orën 18:30.

Alpinistët në fjalë do ti shpalosin përvojat e tyre gjatë rrugëtimit 66 ditor në Himalaje dhe emocionin që të jep maja më e lartë, Mount Everest (8848 m/lmd) teksa do të organizohet një konferencë për media.

Ekspedita Everest 2017 është ideuar dhe organizuar nga Klubi Alpin Prishtina me qëllim që ta çojë Kosovën në kulmin e botës.

Përgatitjet kanë filluar qysh para tre vjetësh dhe pjesë e tyre kanë qenë katër alpinistë të KAP-it, por në mungesë fondesh, vetëm dy prej tyre morën rrugën për në Nepal. Hasanramaj dhe Mula ngritën flamurin e Kosovës dhe atë kombëtar në majën më të lartë në botë më 22 maj 2017. /Arbresh.info

Të ngjashme