Belgjikë, kryeministri ‘humbet’ dëgjimin në maratonë

02:05 | 31 Maj 2017
Trina Galanxhi

Pas disa ditëve të vështira, gjatë të cilave ishte mikpritës i Donald Trump, kryeministri i Belgjikës, Charles Michel mund të kishte shpresuar për disa ditë qetësimi, por nuk ndodhi kështu.

Një dalje e tij, në dukje e padëmshme, në një maratonë 20 km në Bruksel, ka bërë që Michel të kërkojë trajtim mjekësor për dëmtim të dëgjimit, pasi ai kishte qëndruar shumë pranë pistoletës që kishte sinjalizuar fillimin e garës, shkrepur nga Princesha Astrid, motra më e re e Mbretit belg, Philip.

Michel ishte fotografuar teksa shikonte i shastisur nga pistoleta në fillim të garës në kryeqytetin belg, të dielën, por fillimisht u pa të qeshte. Sidoqoftë, të hënën ai kishte kërkuar një ekzaminim mjekësor të veshëve.

Deri të martën, axhenda e zënë e kryeministrit, përfshirë dëshminë para një komisioni të Parlamentit belg, është pastruar.

“Kryeministri duhet të ndjekë një numër trajtimesh brenda 48 orëve në vijim pas incidentit”, tha zëdhënësi i tij, duke shtuar se ekzaminime të tjera mjekësore priten gjatë javës.

Familja mbretërore belge, ende nuk e ka komentuar incidentin. Javën e kaluar, qeveria belge mirëpriti presidentin amerikan dhe bashkëshorten e tij, Melania, para takimeve me udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s.

Bisedimet mes Trump dhe Michel u raportua se kishin shkuar mirë, edhe pse disa burime nënvizuan se presidenti nuk kishte qenë shumë i përqëndruar dhe kishte shfaqur pak interes për ekonominë e Belgjikës.

Burimet madje thanë se Trump kishte kaluar më shumë kohë duke iu ankuar Michel për vështirësitë e ngritjes së klubeve të golfit në vendet e BE-së, teksa shijonte çokollatat belge. “Këto janë më të mirat në botë”, raportohet t’i ketë thënë Trump mikpritësit të tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme