A po ndryshon politika e Trump ndaj Ballkanit?!

22:57 | 30 Maj 2017
Trina Galanxhi

Që prej zgjedhjes së Donald Trumpit president, politika e jashtme amerikane ka qenë shumë e paqartë, e sjellja armiqësore ndaj NATO-s e aleatëve tradicionalë ka bërë që niveli i pasigurisë gjeopolitike të jetë më i lartë, sesa nën çdo presidencë tjetër amerikane në dekada.

“Në mungesë të një poltike të qartë për Ballkanin nga administrata ‘Trump’, – shkruan opinionisti i “Balkan Insight”, Florian Bieber, – deklaratat kontroverse të disa kongresmenëve kanë fituar më shumë peshë, të tilla si ajo e Dana Rohrabacher nga Dhoma e Përfaqësuesve, se Maqedonia nuk është një shtet, apo e Rand Paul në Senat, që kundërshtoi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO”.

“Megjithatë, – vijon “Balkan Insight”, – javët e fundit i kanë zbehur disi shqetësimet. Fillimisht, Senati e mbështeti anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për të penguar procesin”.

Më pas, zv.ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee vizitoi Ballkanin, duke shënuar progres në rajon. Vizita e tij, – kujton media, – ishte thelbësore në bindjen e presidentit maqedonas Ivanov, për t’i dhënë kreut të opozitës dhe përfaqësuesit të shumicës parlamentare mandatin për formimin e qeverisë, pas një krize disamujore politike.

Ai ndihmoi gjithashtu në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje në Shqipëri, ku Partia Demokratike në opozitë kërcënonte të bojkotonte zgjedhjet. Zhvillimet, – sipas analistit të “Balkan Insight”, sinjalizojnë se edhe me një president pa një angazhim të qartë për NATO-n, Shtetet e Bashkuara po tregohen më efektive sesa BE-ja.

Këtë ide, analisti e argumenton me paefektshmërinë e përpjekjeve të zyrtarëve të lartë europianë për të zgjidhur krizën maqedonase. Ndërkohë, – shton ai, – suksesi i Amerikës në disa çështje ballanike, sugjeron se politika e Uashingtonit në rajon do të vazhdojë ashtu siç ka qenë nën administratën “Obama”, e përshkruar gjerësisht si “politika e dorës së fshehtë”.

Kjo nënkupton se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin politikën e BE-së në Ballkan, e të parandalojë krizat duke përkrahur procesin e reformave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme