Ankesat e Trump, eksportuesit gjermanë edhe më shumë optimistë

21:14 | 28 Maj 2017
Trina Galanxhi

Përgjigjja e gjermanëve ndaj ankesave të Donald Trump, mbi eksportet e tyre të shumta, janë shifrat konkrete. Këto të fundit, sipas ekspertëve, vazhdojnë të rriten. Eksportuesit në Gjermani janë tepër të sigurtë për perspektivat e shitjes së prodhimeve të tyre.
Rezultatet e një sondazhi të Institutit të Kërkimeve Ekonomike “IFO” në Mynih, cituar nga “Deutsche Welle”, tregojnë sesi indeksi i perspektivave të biznesit të kompanive gjermane arriti në maj, nivelin më të lartë që nga janari 2014.

“Eksportet vetëm rriten, – thotë kreu i këtij insituti, Clemens Fuest, duke theksuar se “optimizmi është më i madh në sipërmarrjet e industrisë së veshjeve”.

Shumë porosi nga jashtë ka marrë edhe sektori i prodhimit të makinave, indeksi i të cilit arriti sivjet nivelin më të lartë që nga shkurti i vitit 2011. Një lloj rënieje vihet re, ndërkohë, në sektorin e industrisë elektrike dhe elektronike.

Kritikat e tij, Trump i lëshoi gjatë një takimi me përfaqësues të Bashkimit Europian, ku përmendi sërish suficitin tregtar gjerman, të cilin e konsideron tepër të lartë.

“Gjermanët janë të këqinj, tepër të këqinj”, tha presidenti amerikan – i cituar nga “Spiegel Online”, – duke iu referuar pjesëmarrësve në takim. “Shikoni miliona makinat që ata shesin në SHBA. E tmerrshme”.

Këtu duket se shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka një pikë të përbashket me kreun e Elizesë, Emmanuel Macron, edhe ai i pakënaqur me suficitin tregtar gjerman.

Bilanci i tregtisë mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara është negativ për Amerikën. Deficiti, vitin e kaluar ishte rreth 65 miliardë dollarë, një fakt për të cilin Trump dhe këshilltarët e tij ankohen në mënyrë të përsëritur.

Blerjet nga Gjermania mbërrijnë shifrën 114 miliardë dollarë, kurse shitjet e produkteve nga SHBA në Gjermani kapën vlerën 49 miliardë dollarë. Shtetet e Bashkuara janë tregu më i madh për produktet gjermane, e veçanërisht më të kërkuara janë makinat, makineritë dhe produktet e industrisë farmaceutike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme