ASK thotë se të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për -3.1% në muajin prill 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjësisht në vlerë prej 220,6 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 227,6 milionë eurosh në vitin 2016.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 37.5% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 21.7% e përbëjnë produktet minerale; 9.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.4% e përbëjnë produktet bimore; 3.2% e përbën lëkurë dhe artikuj prej saj etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.9% të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 8.8% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.8%) e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.1% e përbëjnë produktet bimore etj. Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6,3 milionë Euro, ose rreth 20.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 4.7%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (4.4%), Holanda (2.5%), Bulgaria (2.5%) dhe Austria (2.2%). Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 108,5 milionë Euro, ose 43.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.7%), Italia (6.7%), Greqia (4.4%), Polonia (2.4%) etj”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s, në muajin prill 2017, arritën në 16,6 milionë euro, ose 53.4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 70.7%. Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Shqipëria me 15.7%, Maqedonia 14.4%, Serbia 14.4% dhe Mali i Zi 5.9%.
Sipas ASK-së, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin prill 2017, arritën në 70,8 milionë euro, ose 28.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.0%. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia 13.3%, Shqipëria 6.0%, Maqedonia 5.3% dhe Bosnje e Hercegovina 3.0%.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8,2 milionë euro, ose 26.4%. Ndërsa, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin India me 11.8% dhe Zvicra me 7.0%.
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 72,5 milionë euro, ose 28.8%. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia 10.9% dhe Kina 6.5%./Arbresh.info/