Bujtinat familjare janë trendi i fundit i biznesit të turizmit në Berat. Ata që i kanë trashëguar apo blerë së fundmi, po shohin rritje të fluksit të njerëzve që i vizitojnë, ndërsa veç arkitekturës përpiqen të ofrojnë edhe një kuzhinë sa më afër traditës.
Një portë e rëndë prej druri, me dy kanata, tipike beratase të fton drejt bujtinës “Kodikët”. Dykatëshja me shkallë prej druri, dy dhoma të mëdha dhe dy të vogla, një kuzhinë dhe një oborr me lule, është përshtatur me sqimë në një bujtinë. Vasilika Gogu e bleu shtëpinë rreth 400-vjeçare, pasi u kthye nga Greqia ku si emigrante punoi në biznesin e turizmit për 18 vjet. Ajo e bleu në vitin 2011 dhe iu deshën gjashtë muaj punë restauruese dhe gati po kaq kohë pune mobilimi që bujtina të ishte gati, për të pritur vizitorët. “Kodikët” është vetëm një prej bujtinave që po lulëzojnë në lagjet e vjetra të Beratit, kryesisht investim i emigrantëve të kthyer pas një pune në turizëm apo të ngjashme nga Greqia e Italia.
Në lagjen tjetër në “Goricë”, Lorenc Pushi ka trashëguar prej familjes së tij një banesë muzeale të kategorisë së parë me vlera historike, të cilën pasi u kthye nga emigracioni në Itali e ka përshtatur në një shtëpi pritëse që mban emrin e tij. Të njëjtën gjë ka bërë në lagjen e moçme “Kala” Koço Plaku i cili u kthye nga Greqia sëbashku me bashkëshorten Vjollca dhe vajzën Kristina ofron gatimet tradicionale në restorantin që mban emrin “Onufri”.
Sipas të dhënave nga Zyra e Turizmit pranë Bashkisë, janë 26 hotele dhe bujtina në qytetin e Beratit, ndër të cilët 13 ndodhen në tre lagjet muzeale, aty ku vizitorët kanë se çfarë të shohin, shijojnë, prekin, ndiejnë, për t’i marr të gjitha me vete në vendet e tyre. Tradita e bujtinave nuk është shumë e vjetër në Berat, por pronarët e tyre thonë se iniciativa është duke funksionuar, ndërsa qyteti shfrytëzon për këtë lagjet e tij të vjetra.
Përballë njëra-tjetrës “Mangalemi” dhe “Gorica”, lagjet me banesa qindravjeçare janë një destinacion turistik kulturor shumë i kërkuar. Së bashku me lagjen “Kala”, ato përbëjnë tërheqjen kryesore të Beratit. Ndryshe nga bregdeti qyteti që mbrohet nga UNESCO e filloi sezonin më shumë se një muaj më parë edhe pse Berati për vetë specifikën e tij ofron turizëm për gjatë gjithë vitit. Bujtinat sidoqoftë e përqendrojnë aktivitetin përgjatë muajve prill- tetor, për shkak të shtimit të numrit të vizitorëve të huaj në vend.
Ndryshe nga hotelet normale bujtinat u ofrojnë vizitorëve një pritje më familjare dhe shumë më afër traditës. Ato janë të mobiluara thjeshtë dhe ofrojnë gatime tradicionale. Kështu Vasilika i tërheq vizitorët duke ofruar shërbimin e mëngjesit falas në guzhinën e përbashkët të bujtinës gati-gati familjare. E veçanta e mëngjesit që ofron Vasilika është se gjithçka përgatitet prej saj. Ajo thotë se nuk e ka llogaritur asnjëherë koston, ndërsa tregon se idenë për bujtinën e mori gjatë kohës që ishte në Greqi. “Pesë vitet e fundit të punës time i kam kaluar në San Torini, në Greqi dhe aty më lindi mendimi që të kthehesha në Berat për të investuar në fushën e turizmit. Nuk u mendova gjatë, por bleva shtëpinë nga një çift pleqësh dhe menjëherë fillova nga puna për ta kthyer në një bujtinë, që sot e konsideroj si oazin tim”, thotë Vasilika Gogu për BIRN.
Ajo më pas punësoi Xhorxhi Fanin, një emër i njohur në fushën e restaurimit dhe aredimit në Berat, i njohur për përqendrimin në detaje. “Është shumë e rëndësishme që t’i bësh të ndihen si në shtëpinë e tyre, pasi ky është çelësi i suksesit pasi vizitorët rikthehen vetëm nëse kanë kaluar mirë dhe janë ndier po aq mirë”, thotë ajo. Bujtina e saj që në vitin 2013 kur është bërë pjesë e guidave të turizmit dhe është vizituar nga ambasadorë, politikan, artistë të të gjitha fushave.
Ndërkohë banesa e Lorenc Pushit gjendet shumë pranë hyrjes së rrugicës së parë të lagjes Goricë, por ai i ka shtuar asaj dhe një hyrje të dytë në pjesën e pasme të banesës që ndodhet gati në mes të lagjes. E lartë, me dy kate, shtëpia e Lorencit në pjesën e poshtme ngjason me një muze të vërtetë, ndërkohë që historia që mbart për pronarin dhe bujtësin e vizitorëve është pjesë e suksesit në fushën e turizmit. Lorenci e ka nisur punën e tij në ish turizmin e Beratit, ku ka punuar për tetë vite si kamerier, për të vijuar me punë të ndryshme në fushën e turizmit në Greqi, e Itali ku ka jetuar më pas fal ndryshimit të sistemit. Vitet e gjata me eksperience pune në vende të konsoliduara në fushën e turizmit bën që katër vite më parë Lorenci të kthehet përfundimisht në qytetin e tij, për të investuar në banesë dhe shndërruar atë në një shtëpi pritëse.
“Qyteti i Beratit është vetë histori e gjallë, shtëpia ime pritëse sot, dikur ka qenë banesa e Margarita Tutulani, mbesa e Dhimitër Tutulani, politikan shqiptar dhe një prej firmëtarëve të Deklaratës së Pavarsisë së Shqipërisë, vajza e Miltiadh Tutulani, që shërbeu si Ministër Finance në vitin 1930. Mjaftojnë këto dëshmi për tu folur vizitorëve dhe kjo është vetëm një pjesë e suksesit tim në fushën e turizimit”, thotë Lorenci për BIRN.
Në banesën pritëse janë në shërbim të vizitorëve një dhomë e madhe që përdoret për grupe deri në pesë persona dhe një dhomë e vogël që mund të përdoret për një çift ose për fëmijë. Lorenci me njohje tepër të gjera në fushën e turizmit ka arritur tashmë të kuptoj mirë se çfarë kërkon secili vizitorë që shkel në shtëpinë e tij. Lorenci ofron për vizitorët jo vetëm mjediset e shtëpisë, por dhe guidën për vlerat e saj.
Në Kala Koço Plaku e nisi biznesin e tij në që në vitin 1992 kur bashkëshortja trashëgoi nga sistemi një dyqan të vogël në të cilin punonte, të cilin sot e kanë zgjeruar duke e shndërruar në një restorant që i shërbejnë vizitorëve me 12 tavolina. Biznesi i familjes vazhdoi deri në vitin 1996 vit në të cilin familjarët u larguan drejt Greqisë për tu rikthyer në vitin 2005 dhe vazhduar atje ku e kishin lënë aktivitetin.
“Pas kthimit nga Greqia kemi investuar për zgjerimin e restorantit dhe kemi vazhduar punën duke ju shërbyer klientëve gjithçka që gatuaj vetë, por duke ruajtur traditën, thotë Vjollca për BIRN. “Unë shërbej rreth 80 gatime tradicionale në çdo sezon, duke mos hequr dorë nga tradita dhe kjo e bënë të veçantë restorantin tonë”, thotë zonja.
Ajo beson te gatimet tradicionale ndërsa perimet e stinës që nga qepët, spinaqi, sallatën, domatet, specat, kanë filluar t’i prodhojnë në oborrin e shtëpisë që të jenë sa më të shijshme.
“Fërgesa, speca me oriz furre, patëllxhan furre, byrek të ndryshëm, bamje furre, etj janë pjesë e menus për këtë sezon”, thotë Vjollca e cila përgatit japrakët që i pëlqejnë shumë klientëve në këtë periudhë. Restoranti i vogël, dykatësh, ndodhet në rrugën kryesore të lagjes simbolike dhe çdo ditë gjatë periudhës prill-tetor është i prenotuar nga agjencitë e udhëtimit për shërbimin e drekave dhe darkave.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?