Google ADS

LDK reagon ndaj sondazheve të porositura të medieve te PDK-së

11:14 | 26 Maj 2017
Arbresh.info

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka theksuar se “Indeksonline”, një prej portaleve të dëshmuar për anshmëri politike, ka publikuar një, gjoja sondazh, të cilin vet e ka pranuar se është i porositur, por nuk ka treguar as prej cilës kompani është realizuar, cila metodologji është përdorur dhe as me sa respondentë është realizuar.

“Publikuesi i gjoja sondazhit, s’ka dhënë asnjë shpjegim tjetër, të domosdoshëm, të paktën për ta shfaqur si të besueshëm. Në karremin e rezultateve të këtij sondazhi të porositur, të cilat nuk i besojnë as ata që e kanë porositur, nuk kanë rënë mediat serioze të Kosovës. Por, “ka rënë” Radio Televizioni i Kosovës (RTK)”, thekson LDK.

LDK vlerëson se duke shkelur çdo standard profesional dhe Ligjin për Transmetuesin Publik, RTK, në lajmet qendrore transmetoi me shumë pompozitet rezultatet e këtij sondazhi.

“Në kushte normale, për këtë shkelje profesionale dhe ligjore, edhe ndaj “Indeksonline” si “porositës”, por edhe RTK si “transmetues” i këtij “sondazhi” do të duhej të kërkohej dhe të jepej llogari. ”

“Por, ne në Kosovë nuk jemi në kushte normale. Të paktën jo deri më 11 qershor, kur do të flasë sovrani.”, deklaron LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për hir të sqarimit të anëtarësisë e përkrahësve të saj dhe opinionit publik, thekson se praktikat tashmë të njohura të publikimit të sondazheve të porositura, jo vetëm që janë demaskuar, por kanë prodhuar efekte të kundërta.

Sondazhet e porositura nuk mund ta ndryshojnë vullnetin e sovranit më 11 qershor, kur institucionet e pavarura të Kosovës, përfshirë këtu edhe RTK-në, do të ç’kapen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme