Google ADS

Në këtë vend papunësia është aq e ulët sa po bëhet shqetësuese

19:08 | 25 Maj 2017
Arbresh.info

Në Prill të këtij viti, numri i të papunëve në Poloni ra në 7,7 për qind nga 8,1 për qind e një muaji më parë sipas Institutit të Statistikave atje.

Kjo është shifra më e ulët që nga viti 1991, kur ekonomia ishte në fazat e para të transformimit nga komunizmi. Instituti i Statistikave përllogariti kështu se shkalla e papunësisë është rreth 5,3%, një ndër më të ulëtat në Bashkimin Europian.

Ulja e vazhdueshme e papunësisë vjen si rezultat i zvogëlimit të forcave të punës dhe mangësisë për ta zëvendësuar. Gjithashtu, mosplotësimi i kërkesave për krahë pune, duhet të sillte natyralisht një rritje të pagave, gjë që nuk ka ndodhur, pasi rritja vjetore e pagave ra në 4,1%.

Që kur vendi u anëtarësua në BE në vitin 2004, mbi 2 milionë polakë lanë vendin. Edhe pse numri i personave të gatshëm për të punuar jashtë është ulur me kalimin e viteve, ai përfaqëson pothuajse 3 milionë individë të tjerë. Mes tyre, pjesa e të rinjve 18-24 vjeç përbën 40% të totalit.

Shumica e vendeve vakante të punës janë plotësuar nga ukrainasit, të cilët përllogariten në rreth 1 milionë individë. Megjithatë, duke nisur nga 12 Qershori, ata mund të lëvizin në BE pa viza, çka do t’i largojë disa prej tyre nga Polonia.

Por largimi i emigrantëve nuk është i vetmi problem që paraqet e ardhmja e Polonisë. Forca e punës, pra njerëz të cilët janë të punësuar ose në kërkim të punës, janë 56,3%, që do të thotë se rreth 5,5 milionë polakë janë jashtë tregut të punës.

Banka Qendrore parashikon se 80 mijë njerëz do të dalin nga tregu i punës, si pasojë e rregullave të reja që kanë ulur moshën e daljes në pension. Një popullsi në plakje dhe në tkurrje thjesht do të rëndojë mbi ekonomi. Për çdo 100 të punësuar, Polonia ka sot 28 pensionistë, ndërsa ky numër pritet të dyfishohet deri në vitin 2050.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme