Mali i Zi nga sot me ulëse në NATO

11:03 | 25 Maj 2017
Arbresh.info

Mali i Zi, një shtet i vogël në juglindje të Evropës, nga sot do të ketë ulësen e tij në takimet formale dhe joformale të NATO-s.
Ndërkaq nga fillimi i qershorit, do të jetë edhe zyrtarisht anëtari i 29-të i Aleancës Veriatlantike.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se kryeministri malazez, Dushko Markoviq, do t’iu bashkohet për herë të parë aleatëve në takimin e sotëm në Bruksel.

“Parlamentet e të 28 aleatëve dhe Parlamenti i Malit të Zi kanë ratifikuar pranimin e këtij vendi në NATO. Ky është një hap përpara për Malin e Zi, për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe për vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”, tha Stoltenberg.

NATO i ka dhënë Malit të Zi planin për anëtarësim qysh në vitin 2009, ndërsa më 2015 i ka bërë ftesë për t’iu bashkuar aleancës.

Procesi e ka irrituar Moskën, e cila, për kohë të gjatë, ka menduar se mund ta ketë Malin e Zi në sferën e saj të ndikimit.

Qëkur Mali i Zi është ndarë nga Serbia në vitin 2006, Moska ka kultivuar lidhje të ngushta me republikën ish-jugosllave, ndërsa investitorët dhe turistët rusë kanë derdhur para të majme atje.

Nga viti 2015, afërsia e tyre është kthyer në rrëmujë. Mali i Zi ka fajësuar Rusinë për një komplot për vrasjen e ish-kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq, në tetor të vitit të kaluar.

Rusia, në anën tjetër, ka ndërprerë investimet në Mal të Zi, ka zvogëluar turizmin atje, ndërsa, së voni, ka ndaluar edhe importin e verës malazeze.

“Jemi të përgatitur për çdo veprim të Rusisë, por asgjë nuk do të na pengojë në rrugën që kemi vendosur të marrim”, u tha gazetarëve, ditë më parë, kryeministri malazez, Markoviq.

“Ballkani, me shekuj, ka qenë skenë e luftës midis Perëndimit dhe Lindjes. Si asnjë vend tjetër në rajon, Mali i Zi ka lidhje të fuqishme me Lindjen, por në vitin 2006 (v.j. kur Mali i Zi ka shpallur pavarësinë), kemi marrë një vendim kyç, për të pranuar standardet dhe vlerat perëndimore”, tha Markoviq.

Mali i Zi, vend me rreth 630,000 banorë, ka një ushtri të vogël, me rreth 2,000 ushtarë aktivë.

Në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, ai dhe Serbia janë bombarduar nga avionët e NATO-s për 78 ditë.

Me anëtarësimin e Malit të Zi, NATO bën zgjerimin e parë qysh në vitin 2009, kur në radhët e saj kanë hyrë Shqipëria dhe Kroacia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme