Veseli: Ka ardhur koha për prodhime Made in Kosova

17:54 | 24 Maj 2017
M. A.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë në një tubim me udhëheqës të bizneseve në Kosovë, se ka ardhur koha që të kemi prodhim vendor dhe nga një shoqëri konsumuese të shndërrohemi në shoqëri prodhuese.

“I gjithë koncepti i ‘Fillimit të Ri’ ka të bëjë me ndërmarrësi, ka ardhur koha që të mbushet vendi me fabrika, të cilat prodhojnë Made in Kosova”, pohoi Veseli.
Ai ka shtuar se bashkë me partnerin e tij në koalicion dhe kandidatin për kryeministër të koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinajn, do të lëvizin drejt zhvillimit.

“Së bashku me Ramushin kryeministër të Kosovës dhe me partneritetin tonë të përbashkët, do t’i lëvizim gjërat, unë dhe ai, bashkërisht, do t’i lëvizim gjërat për mirë”.

Veseli ka lavdëruar pronarët e kompanive të ndryshme në Kosovë, të cilët, sic tha Veseli, përkundër vështirësive vendosën të kontribuojnë në Kosovë.

“Më ka bërë përshtypje vendosmëria e madhe tek ndërmarrësit për të qëndruar në Kosovës, të investojnë në Kosovë edhe për shkak se vështirësitë kanë qenë prezente. Nuk mund të vazhdonim kur Kosova s’kishte progres, ngecnin proceset si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme