Surroi: Ndërkombëtarët s’e prishin rehatinë e kapësve të shtetit pa impuls të qytetarëve

19:53 | 23 Maj 2017
Arbresh.info

“Gjykata Speciale e ka shtyrë PDK-në drejt zgjedhjeve”, ka thënë publicisti Veton Surroi në emisionin “zigzag” në televizionin Art Channel në Tetovë

Surroi ka paralajmëruar një destabilitet politik që, sipas tij, do të ndodhë në gjysmën e dytë të këtij viti, pasi të nisë punën Specialja.

Surroi ka folur edhe për kapjen e institucioneve nga elitat që e kontrollojnë shtetin për nevoja të tyre.

Këtu ka folur si për Kosovën ashtu edhe për Maqedoninë, por ka thënë se kapja e shtetit në Kosovë është shumë më intensive sesa në Maqedoni.

Publicisti Surroi ka thënë se Kosova gjendet në sandviç, në njërën anë duke mos e pasur identitetin e saj në OKB dhe duke mos u njohur nga pesë shtete të BE-së si dhe kapjes së shtetit në anën tjetër.

Surroi foli edhe për ndikimin e ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizave në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Por, sipas tij, nuk ka ndërkombëtar që e prish rehatinë e kapësve të shtetit nëse nuk ka impuls nga qytetarët për të ndryshuar gjërat.

Surroi ka komentuar edhe bisedimet me Serbinë, duke thënë se pala kosovare hyri në këtë proces me mungesë absolute konsensusi, duke e dërguar në avantazh Serbinë. Secila qeveri e ardhshme, sipas tij, do të përballet me të njëjtat tema që janë asociacioni e demarkacioni, por krejt varet se kush do t’i fitojë zgjedhjet për t’i zgjidhur ato.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme