Google ADS

Rrustemi: Pranimi i 3890 aplikacioneve nga Serbia është shqetësues

19:09 | 23 Maj 2017
Arbresh.info

Zyrtarë të KQZ-së thanë në një konferencë për media se edhe pse nuk është e paraparë me ligj, ata i kanë mundësuar mërgatës që në zgjedhjet e 11 qershorit të mund të votojnë edhe me email, ndërkohë që anëtari i KQZ-së Adnan Rrustemi shprehu shqetësimin për pranimin e aplikacioneve të pranuara nga Serbia.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të martën ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar për aktivitetet e Sekretariatit të KQZ-së lidhur me procesin zgjedhor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se KQZ-ja ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore për t’iu mundësuar me email të aplikojnë pjesës së mërgatës që janë jashtë vendit,  që nuk është e paraparë me ligj. “Me ligj është e paraparë që mundësia me ligj është vetëm me post dhe me faks. Ne kemi mundësuar edhe me email, e cila nuk është e paraparë me ligj, por ne vetëm për t’iu mundësuar. Rregullat janë akte nënligjore, të cilat ne me vullnetin tonë i kemi bërë, do të thotë vetëm për t’iu mundësuar mërgatës që të aplikojnë”, ka thënë Daka.  Anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje, kishte dy çështje që duhet të ngriten që periudha e votimit për të gjithë ata që janë të regjistruar të përmbushet me efikasitet. Po ashtu, ai ngriti si shqetësim dërgesën përmes postës nga Serbia prej afro 3890 aplikacione, për të cilat kërkoi që të pezullohen.   “Një shqetësim që lidhet me pranimin e 3890 të aplikacioneve mbrëmë në orët e vonshme para se të përmbyllet afati i aplikimit, nga Serbia në mënyrë të pasqaruara nga sekretariati, në mënyrë të gropuar të thosha, të gjitha thuajse me një dërgesë për mua është dërgesë e kundërligjshme, pa dyshim”, ka thënë Rrustemi.  Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së, ka thënë se ditën e zgjedhjeve duhet të votojnë vetëm ata që janë në listë votuese.

“Janë të mirëseardhur me iu përgjigj thirrjes për të ardhur për të votuar, ata janë votues të Kosovës, pra të gjithë ata që janë në listë votuese. Edhe këtu ka bërë një punë mjaft të madhe shërbimi përkatës është duke vazhduar ta bëjë dhe inkurajoj që sa më shpejt të vazhdohet për t’iu kthyer përgjigje dhe mendoj që në këtë segment është pika e parë e reformës zgjedhore që duhet të ndërmarrë shteti i Kosovës që qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit t’iu mundësohet të votojnë atje dhe mos t’i lejohet asnjë lloj grupi me keqpërdor dhe me fol në emër të tyre”, ka thënë Gjoshi.  Ndërsa, anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti, tha se tema për mërgatën është bërë më tepër se një kauzë politike. “KQZ-ja e ka marrë një vendim, i ka marrë ato afate dhe iu ka përmbajt atyre afateve dhe asnjëri as tjetri këtu më shumë as më pak nuk ka qenë më shumë apo më pak i përkushtuar që t’iu dilet në ndihmë edhe një servis mërgatës që voton. Ato janë afate, sepse janë zgjedhje të jashtëzakonshme, janë afate të shkurtuara dhe nuk mund të bëhet asnjë kauzë politike apo të shfrytëzohet nga kushdo qoftë dhe të sulmohet KQZ-ja në rast që janë kundër kësaj ose janë kundër mërgatës, ose janë subjekte të ndryshme politike kundër mërgatës,” tha ai.  Po ashtu sipas tij se përmes emailit mund të aplikojë vetëm një person nga anëtarët e familjes.  “Me email mund të aplikon njëri prej anëtarëve të familjes që i ka në adresë, jo 700 aplikacione”, ka thënë Hamiti. Miradije Mavriqi, zëvendës drejtore ekzekutive e Zyrës për regjistrim, tha se kjo zyrë deri më 23 maj ka përfunduar procedimin e aplikacioneve për certifikim të 26 subjekteve politike- 19 partive politike, 5 koalicione dhe 2 nisma qytetare me gjithsej 995 kandidatë./Arbresh/info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme