Google ADS

Thaçi: S’ka dallim mes njerëzve të luftës dhe të paqes

00:23 | 23 Maj 2017
Trina Galanxhi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve APA, është përzier në fushatën zgjedhore të partive politike.

Duke theksuar edhe vet se mban post jopolitik, Thaçi megjithatë ka porositur qeverinë e ardhshme se pret nga ajo transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt e po ashtu edhe “formimin e Asociacionit të komunave serbe”.

Ai me këtë rast ka falënderuar kreun e PDK-së, Kadri Veselin, për, siç tha ai, “qëndrimin tij shumë evropian”, transmeton Koha.net.

“I tërë populli i Kosovës ka qenë në luftë, dhe nuk ekziston dallimi mes ‘njerëzve të luftës’ dhe ‘njerëzve të paqes’”, ka deklaruar Thaçi në këtë intervistë për agjencinë austriake të lajmeve, APA.

Tutje, në këtë intervistë, Presidenti Thaçi ka lëshuar sërish akuza kundrejt Bashkimit Evropian në lidhje me çështjen e zgjerimit.

Akuzat kryesore, Thaçi i lëshoi veçanërisht në drejtim të komisionerit për zgjerim, Johannes Hahn.

“Vonesat e Bashkimit Evropian nuk mund të arsyetohen më”, ka thënë Thaçi në këtë intervistë për APA-n, transmeton Koha.net.

Ai ka shprehur keqardhje më së shumti për deklaratat e Hahn të bëra gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd, i cili kishte kritikuar deklaratat e Thaçit dhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se nëse BE nuk i pranon, atëherë do të bashkohen mes vete Shqipëria dhe Kosova.

Megjithatë, ai ka saktësuar se çështja e bashkimit të trojeve shqiptare, apo krijimi i Shqipërisë së Madhe, nuk është temë diskutimi.

“Kosova është Kosovë dhe Shqipëria është Shqipëri dhe askush nuk dëshiron ndryshim kufijsh”, ka deklaruar Thaçi, transmeton Koha.net.

“Komisioneri Hahn brengoset vetëm për Serbinë dhe për asnjë shtet tjetër të Ballkanit Perëndimor”, ka kritikuar presidenti Thaçi.

Ai ka kërkuar angazhim më të madh të BE-së në rajon, veçanërisht për shkak të ndikimit të mundshëm rus.

Thaçi po qëndron në Vjenë, ku gjatë ditës së sotme është takuar edhe me homologun e tij austriak, Alexander Van der Bellen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme