Kur do të shihemi, lus të bjerë shi / Pikë pas pike gjithë kësaj nate / Që kur të dalim bashkë un’ e ti / Mbi pllaja kodra dielli ka ratë …” Eqrem Çabej do t’i shkruante këto vargje në vitin 1951, nën padurimin e bukur që i sillte takimi me vajzën 28-vjeçare Shyhretin.
Mënyra sesi ajo fliste, dashuria e përbashkët për librat dhe gjithçka tjetër në ato biseda të shkurtra, ia shtonin padurimin për ta parë sërish. Në mbrëmjet që i kalonte i vetëm, ai hidhte në fletore vargje për të, vargje që një ditë do t’i radhiste në një fletore për t’ia dhuruar.
Ishte 1 janari i vitit 1951, kur Eqremi 42-vjeçar i dhuron Shyhretit një fletore me tetëmbëdhjetë sonete shkruar për të. Ishin njohur rreth dy vjet më parë, në pranverë 1949, kur ajo sapo ishte liruar nga burgu politik dhe punonte në Bibliotekë Kombëtare. Kjo fletore do të ruhej me kujdes për vite me radhë nga gruaja, si shenjë e artë e kohëve të dashurisë. Do të ishte e bija e çiftit, Brikena, e cila do t’i zbulonte këto sonete aty nga mesi i viteve ‘70, në fund të dollapit të tyre, duke rrëmuar me kureshti, si bëjnë shumë bij tek rreken të zbulojnë fshehtësira nga e shkuara prindërore, të kohëve kur vetë ende nuk qenë.
“Nga skaji më i errët i dollapit dora më nxjerr një fletore të kaltër, me shkrimin e pangatërrueshëm të Eqremit! Fletorja e vjetër, e kaltër, përmbante vjersha dashurie! E pabesueshme! Natyrisht kisha zbuluar shumë më tepër sesa shpresoja të gjeja! E nxjerr në dritë, e shfletoj dhe me paturpësinë e bijve ndaj prindit, me t’u kthyer Shyhreti nga biblioteka ku kishte rifilluar punë pas vitit të gjëmshëm 1970, ia tund përpara: ‘Po kjo, ç’është?’ E alarmuar dhe e çuditur që e kisha gjetur, sepse ishte e bindur që e kishte fshehur fort mirë, Shyhreti më kërkoi prerë ta ktheja sërish fletoren në vend të vet e kurrsesi mos ta merrte vesh Eqremi që e kisha parë.
Pikërisht për këtë arsye, që ‘mos ta shihte fëmija’, për vite me radhë Eqremi e kishte hequr nga shtëpia atë fletore: Ia kishte dhënë ta ruante mikut të tij, Odhise Paskali, i cili e kishte mbajtur nja njëzet vjet dhe ia kishte kthyer vetëm pak kohë më parë. Pa mundur as ta lexoja mirë, fletorja e ndaluar hyri sërish në skutat e errëta nga kish dalë.
Kurrë nuk e zura ngoje ekzistencën e saj me Eqremin”, rrëfen Brikena. Kur Çabej do të ndahej përgjithmonë nga kjo jetë, me trishtimin e një ikjeje që dhemb, ajo do të ndalej gjatë në bibliotekë për të lexuar gjithçka të mbetur prej tij. Ndalesa në gjërat që i kujtonin atë, ishte një ngushëllim i lehtë, si një takim përmes rreshtash. “Me ikjen e tij nga kjo botë, më 13 gusht 1980, nevoja jetike për të forcuar lidhjen e këputur aq herët me të, më shtyu t’i lexoj e rilexoj pa fund këto sonete. Shyhreti nuk më ndaloi më, por më tha, veç, se qysh në krye të herës kishin vendosur të dy që ato sonete të mos dilnin në gjallje të tyre. “Një ditë kur të mos jemi ne mundet edhe botohen”, i pat thënë Eqremi”, kujton Brikena. Duket që këto sonete ishin të shenjta për Shyhretin, e cila gjithnjë kujdesej për t’i ruajtur fort. Ajo do t’i merrte me vete dhe në Paris tek e bija, e cila nga frika e bjerrjes do t’i hidhte në kompjuter.
“Shyhreti i kishte sjellë me vete në Paris, bashkë me dorëshkrimin e dy soneteve aq të rralla e të shtrenjta që Eqremi kishte shkruar për Artanin pas vitit 1970, kur Artani vendosi të ikte prej nesh e të nisej drejt qiejsh të tjerë, shpresoj më të kthjellët. I kisha bërë madje dhe gati për shtyp sonetet, e me kalimin e kohës, sidomos këto vjetët e fundit të ‘pleqërisë së thellë’, si thoshte ajo vetë, kisha edhe lejen e Shyhretit për t’i botuar. Mirëpo një frikë besëtyte më ndalonte ta bëja këtë: kisha një si bindje se po t’i botoja, do të më ikte dhe ajo …”, shkruan Brikena.
Poezia ka qenë gjuha e dashurisë mes Eqrem Çabejit dhe të shoqes. Ato vargje që ai i shkroi me pasionin e një të dashuruari, ishin orët më të bukura ku Shyhreti ndalonte shpesh. “Shyhreti qysh shumë e re e kishte lexuar me pasion poezinë, sidomos poezinë frënge dhe dinte përmendësh perla të saj. Them se dashuria e përbashkët për poezinë ka qenë nxitja që Eqremi t’i shkruante e t’i blatonte Shyhretit këto sonete. Shpesh në bisedat e tyre në shtëpi citoheshin vargje poetike, krejt natyrshëm, sidomos të poezisë frënge, si referenca të sublimes në jetë, të fjalës së naltë, fisnike, që e ngre shpirtin njerëzor në maja që s’kapen dot pa magjinë e saj. Poezia besoj u fali atyre atë lidhje të rrallë, unike, atë dashuri e respekt të pashoq e të pabesueshëm që kishin për njëri-tjetrin.
“30 vjet me Eqremin si 30 ditë”, përsëriste Shyhreti thuajse përditë pas ikjes së tij”, shkruan Brikena. Poezia do të ishte me ta deri në vdekje. “Fjalët e mbrame të Eqremit në këtë jetë, drejtuar Shyhretit në spitalin e Romës – vetëm të dy, ai dergjur në shtrat të vdekjes, pak minuta para se të jepte shpirt, ajo te kryet e tij, krejt vetëm, e paepur: Si ka thënë ai poeti, Shyhret: ‘Tout lasse, tout casse, tout passe’. Mundet vërtet gjithçka ikën e shkon kësaj bote, poezia nuk tretet kurrë”, kujton Brikena. Sonetet e prindërve ajo do t’i sillte në një libër, në përvjetorin e parë të ikjes nga jeta të nënës./G.Shqip
Babi raporton në polici se djali i tij i mitur u rrah nga di...
Zhduket një grua në Gjakovë
Gruaja nga Gjakova raporton në polici për mospërkujdesje mje...
FSK realizon për herë të parë kursin e karrierës për kapiten
Bukuritë vjeshtore në parkun natyrorë të Qafshtamës, Kumbaro...
I dërguari i SHBA-së mbërrin në Bejrut, Libani e Hezbollahu ...