Google ADS

Vllasi: Faktori i vetëm i destabilitetit në rajon është Serbia

00:15 | 21 Maj 2017
Trina Galanxhi

Situata në rajon është e tensionuar. Gati të gjitha vendet kanë qeveri të paqëndrueshme dhe një numër të madh të problemeve të brendshme.

Nga ana tjetër, është ulur në rajon interesi dhe angazhimi i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë po e përdor Rusia, drejtpërdrejt ose së bashku me aleatin e saj, Serbinë, për ndikim në rajon, ka thënë ish-funksionari komunist i Kosovës, Azem Vllasi, në një intervistë për ditoren boshnjake Avaz .

“Autoritetet serbe kanë pretendime të hapura territoriale ndaj Kosovës dhe Kosovën e trajtojnë si pjesë e Serbisë – si në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Nga Beogradi kurrë nuk do të dëgjojë distancim nga autoritetet në Banja Llukë që haptazi kërcënojnë të shkëputet Republika Serbe me anë të një referendumi e t’i bashkohet Serbisë. Me skenar të përgjakshëm u synua të përmbyset regjimi legjitim i Malit të Zi që të largohet vendi nga integrimi në BE dhe në NATO. Në këtë rast ishin të përfshirë njerëz nga Serbia dhe nga Rusia”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Sipas tij Rusia haptas kërcënon Malin e Zi, ndërsa ishte shteti i vetëm që mbështeti formacionin politik VMRO-DPNE që ushtroi dhunë në Parlamentin e Maqedonisë.

“Në rajon jemi rreshtuar si në vitet 1991-1992. Serbia në njërën anë e ballafaquar me Perëndimin e ne të tjerët (Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia, Kosova), me aspirata demokratike properëndimore. Të gjitha këto vende, përfshirë Malin e Zi, edhe sot janë të kthyera kah integrimi euroatlantik. Veç Serbia i jep përparësi Rusisë e pastaj integrimit evropian. Me Serbinë asnjë vend tjetër në rajon nuk ka probleme të përbashkëta e as çështje të hapura. Kështu del që i vetmi faktor i jostabilitetit në Ballkan në Serbia. Njerëzit në krye të Serbisë kërcënojnë shtetet që kanë pranuar Kosovën”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme