Google ADS

Zaev- Ahmeti diskutojnë për koalicionin qeverisës

18:00 | 19 Maj 2017
Arbresh.info

Mandatari për formimin e qeverisë së Maqedonisë, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti diskutuan të premten për parimet e bashkëpunimit, reformave qeveritare dhe hyrjen në BE dhe NATO.

Kjo është bërë e ditur nga partia e Zaev, pas takimit të parë zyrtar për formimin e koalicionit qeveritar, i cili zgjati dy orë e gjysmë.

Pas takimit në selinë e LSDM-së, dy liderët nuk kanë dhënë detaje për takimin.

Është bërë e ditur se do të ketë ende bisedime, edhe të LSDM-së dhe BDI-së, por edhe me dy partitë tjera shqiptare Besa dhe Aleanca për shqiptarët, të cilat i kanë dhënë mbështetje qeverisë së ardhshme të Maqedonisë dhe më pas do të kalojë në ndarjen e ministrive.

Pasi mori mandatin për formimin e qeverisë, Zoran Zaev tha se pret që të tri partitë shqiptare do të jenë pjesë e qeverisë së tij të reformuar.

Zaev tha se dëshiron që sa më parë të formojë qeverinë dhe se nuk do t’i jenë të nevojshme 20 ditët e kërkuara me ligj, por synon që ta përfundojë për dhjetë ditë, ndoshta edhe më herët.

BDI nuk ka zbuluar se cilat do të jenë kuadrot e tyre në qeverinë e ardhshme, por thonë se do të jenë kuadro me përvojë dhe kompetente.

Afati kushtetues për formimin e qeverisë së re është më 6 qershor.

Shumica parlamentare ka gjithsej 67 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë, i cili ka 120 vende. LSDM ka 49, BDI 10, Besa 5 dhe Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme