Si Valdete Daka, edhe gjyqtarja Tonka Berishaj i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

13:08 | 18 Maj 2017
L G

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Tonka Berishaj ka bërë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, me pretendimin se i është cenuar e drejta kushtetuese si rrjedhojë e zbatimit të gabuar të Rregullores së KGJK-së gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Kjo kërkesë e gjyqtares vjen disa muaj pasi kryetari i Apelit, Hasan Shala ka nisur punën e tij në krye të kësaj gjykate.

Lajmin për “Arbresh. Info” e ka bërë të ditur vet gjyqtarja Berishaj, e cila nuk ka dashur të flasë më shumë për këtë kërkesë.

“Po kam bërë kërkesë. Ka të bëj me procedurën e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Apelit. Arsyeja është vendosur në kërkesë, dhe s’kisha dashur më shumë me fol për këtë. E kam avokatin tim, i cili më përfaqëson, dhe kur të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, atëherë mundeni me marr informata më shumë”, është shprehur Berishaj për Arbresh.info.

Gjyqtarja Berisha nuk ka treguar se kur e ka bërë kërkesën dhe pse është dashur të kalojnë kaq shumë muaj që të bëj një gjë të tillë.

Në anën tjetër edhe zyrtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i kanë konfirmuar “Arbresh.info” kërkesën dhe arsyen e kësaj kërkese të parashtruar nga gjyqtarja.

“Kërkesa e parashtruar nga znj. Tonka Berisha ka të bëjë me pretendimin për cenim të të drejtave kushtetuese të parashtrueses, si rrjedhojë e zbatimit të gabuar të Rregullores së KGJK-së gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për “Arbresh.info”.

Kjo kërkesë, sipas zyrtarëve të kësaj gjykate është parashtruar më 28 prill 2017.

Ndryshe, gjyqtarja Tonka Berishaj, ishte vlerësuar me më së shumti pikë gjatë testimit për pozitën e kryetarit të kësaj gjykate.

Berishaj kishte dalë e para me 100 pikë në testin e Komisionit për Vlerësimin dhe Intervistimin e kandidatëve që është formuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Ndërkohë, në muajin mars, gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka pati bërë ankesën e saj kundër zgjedhjes së Enver Pecit në krye të Supremes.

Ankesa e saj, pati shtyrë Kushtetuesen që ta pezullojë vendimin e KGJK-së për zgjedhjen e Pecit kryetar të Supremes. Vendimi për pezullim ditë më parë është vazhduar deri në qershor. / Arbresh.info/ Gita Lushi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme