Zaev flet si Kryeministër: Do të punoj me të gjithë

17:03 | 17 Maj 2017
Arbresh.info

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev menjëherë pas marrjes së mandatit për Kryeministër u shpreh se zotohet që qeveria e re të mundësojë që vendi të ecë përpara dhe të shndërrohet në një shtet me perspektiva evropiane. “Do të sigurojmë kushte për jetë kualitative për të gjithë qytetarët. Qytetarët janë të gatshëm të punojnë për të zgjidhur problemet.

Një shoqëri për të gjithë është koncepti i ardhmes për Maqedonisë. Demokracia është proces e cila nënkupton vendosmëri. Do të punoj me gjithë zemër”, deklaroi Zoran Zaev. “Do të punoj me të gjithë, Qeveria e re do të jetë e të gjithëve, do të krijojmë shtet të drejtë për të gjithë, fillojmë të ndërtojmë shoqëri me të drejta për të gjithë. Me mandatin do të nisim bisedimet për të formuar Qeverinë.

Të mos presim ato 20 ditë, do të tentojmë që sa më shpejt të formojmë kabinetin qeveritar”, deklaroi mes tjerash Zaev. Ai tha se shpreson se me formimin e Qeverisë së re do të hiqet testimi ekstern, si një ndër premtimet kyçe të dhëna edhe gjatë fushatës zgjedhore. Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov gjatë aktit të ndarjes së mandatit për formimin me Qeverisë së re deklaroi se pengesat për ndarjen e mandatit janë mënjanuar dhe se tani duhet përmbushur obligimet kushtetuese. /Alsat Maqedonia

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme