Google ADS

USAID nënshkruan marrëveshje për transparencë me komunën e Prishtinës

13:06 | 17 Maj 2017
Arbresh.info

Drejtori i misionit të USAID-it James Hope dhe kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për nismën e re të USAID-it e cila ka për qëllim të ngrisë shkallën e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik në Kosovë.

Iniciativa e USAID-it ‘Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse’është një aktivitet pesëvjeçar, i cili ka për qëllim të përmirësojë transparencën e prokurimit komunal përmes një procesi të ri të e-prokurimit.Përzgjedhja e komunës së Prishtinës për këtë program u tha se është bërë për shkak të përkushtimit që qeverisja lokale ka ndaj qeverisjes së mirë.

Drejtori i misionit të USAID-it, James Hope, tha se ky program është shumë me rëndësi sepse ka të bëjë me rritjen e transparencës dhe llogaridhënies për prokurimin publik me të gjitha komunat partnere. Hope tha se ky projekt nuk do të jetë i lehtë, por ky do të jetë një bashkëpunim pesë vjeçar ku do të punohet për t’i realizuar të gjitha qëllimet.

Po ashtu, përveç këtyre komunave ai tha se do të punojnë edhe me të gjitha komunat tjera përmes trajnimit dhe ndërtimit të kapaciteteve, si dhe me Qeverinë qendrore.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se ndihet i privilegjuar që komuna që e drejton është zgjedhur në bazë të rezultateve të treguara dhe vullnetit politik për të përmirësuar qeverisjen, transparencën, llogaridhënien dhe në përgjithësi efektivitetin e qeverisjes.

Ahmeti tha se ky program shkon përtej subjekteve politike sepse nënkupton që të gjitha partitë politike zotohen për një qeverisje më të mirë, për një qeverisje më transparente.
Përveç komunës së Prishtinës, për këtë program nga USAID janë përzgjedhur edhe komuna e Pejës, Gjakovës, Vushtrrisë dhe Gjilani.

img-5564

img-5554

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme