“Piratët e Karaibeve”, në duart e piratëve

21:03 | 16 Maj 2017
Trina Galanxhi

Kapitulli i 5-të i sagës së famshme “Piratët e Karaibeve” është në duart e një tjetër lloji piratësh: atyre informatikë.

“Disney” raportohet të jetë duke negociuar me “hacker”-at për shpëtimin e filmit, që në fund të majit duhet të dalë në kinematë amerikane e ato europiane.

“As vet Jack Sparroë, oportunizmi i të cilit nuk lë vend pa u shfaqur, s’do të kishte qenë i aftë për një goditje kaq të ulët”, shkruajnë mediet e huaja.

Grupi i “hacker”-ave, që ka në duart e tij një kopje të filmit të ri të shumëpritur, i kërkon tani kompanisë një shumë të madhe parash. Pretendimi është që pagesa të kryhet në “Bitcoin”.

Situata është e ngjashme me atë të pak javëve më parë, kur “hacker”-at vodhën sezonin e ri të “Orange is the New Black” dhe i kërkuan “Netflix”-it parà për të mos e shpërndarë “online”.

Ekziston një politikë e përbashkët mes kompanive, që të mos negociojnë me të konsideruarit “terroristë dixhitalë”, e aq më pak t’iu binden kërkesave të tyre, me arsyetimin se kjo do t’i hapte rrugën pretendimeve të mëvonshme edhe më të mëdha.

“Hakmarrja e Salazarit” është e fundit e serisë, 4 filmat e mëparshëm të së cilës kanë qenë një sukses i jashtëzakonshëm për “Disney”-n dhe i kanë sjellë gati 3.73 miliardë dollarë fitime në mbarë botën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme