Këta janë kandidatët për deputetë që kanë problem me ligjin

14:07 | 16 Maj 2017
Arbresh.info

Në zgjedhjet jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor, në listat për deputetë të Kuvendit të Kosovës, pritet që të kenë edhe kandidat të cilët kanë probleme me ligjin.

Kjo për faktin se Kosova ende nuk ka një ligj apo kodi të mirësjelljes i cili ua ndalon personave të cilët janë në hetime apo kanë aktakuza të kandidojnë për deputetë.
Nga ana tjetër një numër i madh i deputetëve të legjislaturës së fundit kanë probleme me ligjin të akuzuar për vepra penale e të cilët pritet të jenë në lista, shkruan lajmi.net.

Deputetët e legjislaturës së fundit nga radhët e PDK-së e të cilët disa prej tyre mund të jenë në lista zgjedhore, Shkuri Buja , Elmi Reçica, Adem Grabovci , Zenun Pajaziti, Besim Beqaj e Bekim Haxhiu, janë nën hetime apo akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Naser Osmani, ish-deputetë i LDK-së dhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, në legjislaturën e fundit po ashtu akuzohet nga Prokuroria e Kosovës, i cili mund të jetë përsëri në listën për deputetë nga kjo parti.

Numër të madh të akuzuar të ish-deputetëve ka Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, si shenjë kundërshtimi i dy marrëveshjeve, Demarkacionit dhe Asociacionit.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Aida Derguti, Faton Topallit, Donika Kadaj-Bujupi, Ismajl Kurteshit Fisnik Ismaili, Shqipe Pantina, e Glakuk Konjufca i akuzuar për dëmtim të veturave të EULEX-it, janë ish-deputetët e VV-së, të cilët mund të jenë përsëri në listën për tu zgjedhur deputetë.

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj përveç që ende përballet me rastin për kohën kur ishte ministër i Transportit dhe Telekomit, ndaj tij është ngritur aktakuzë për krime lufte. Ndërsa, bashkëpartiaku i tij, Haxhi Shala akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës.

Pal Lekaj ish- shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, po ashtu përballet me aktakuzë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën kur ishte kryetar i komunës së Gjilanit.

Po ashtu, deputeti i pavarur Nait Hasani akuzohet për deklarim të rrejshëm të pasurisë, sikurse edhe Duda Balje e Hetem Arifi.

President i Kosovës Hashim Thaçi, por edhe faktori ndërkombëtar, sidomos Amerika e Britania e Madhe kanë bërë thirrje që në listat për deputetë mos të ketë persona që kanë probleme me ligjin.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 11 qershor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme