Libri më i ri i poetit Adem Gashi titullohet “Ditët pa gjë”. Edhe ky, si shumica e librave të tij të tjerë, është një përmbledhje me poezi, i ndarë në këta pesë cikle: “dhimbja e tjetërfarët, varrimi i një dite, ti e di vesin tim, para trupit të një gruaje, ikje dhe kthim”.
Sipas drejtorit të shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Armagedoni, i cili e ka botuar këtë libër, ky është libri më i mirë me poezi i poetit Adem Gashi, i cili, ka thënë ai, vjen rrallë, një herë në 35 vjet. Ja se çfarë shkruan ai për këtë libër në kopertinën e pasme të tij: “Derisa po e përgatisja për shtyp “Ditët pa gjë” dhe dorëshkrimin e kisha mbi tavolinë, para nja tre-katër vetave u krekosa dhe thashë: “Librin më të mirë të derimësotëm me poezi të Adem Gashit po e botoj unë”. Dhe, pas një heshtjeje të shkurtër, si të ishin marrë vesh të tretë mes vete, më bën pyetje retorike po përnjëherësh: “Pse, a ka Ademi ndonjë poezi më pak të mirë, a?!” Përgjigjja në këtë pyetje është e kuptueshme për ata që i kanë lexuar poezitë e përditshme të Ademit të nxjerra në llogarinë e tij në “Facebook”, edhe e nënkuptueshme për ata që kanë pasur rastin t’i lexojnë poezitë e tij nëpër libra atëkohë kur nuk ishte kjo fytyrë publike (“Facebook”-u) për ta publikuar edhe pëlqimin për poezitë e tij, edhe dhënë mendimin për to. Pra, Adem Gashi nuk bën të krahasohet me veten sepse ai, po aq poet sa ishte që 45 vjet kur nisi të shkruajë poezi, po aq i mirë e, pak edhe më me shije, na vjen sot. Dhe, po qe se nuk krahasohet poezia e Ademit me po të Ademit, pyes ku t’ia gjejmë një tip paralel dhe të krahasueshëm? Nga brezi i tij, të njëjtë si Ademi, nuk e gjeni edhe një. As fort të afërt me të, qe besa jo. Adem Gashi nuk ka në poezitë e veta figura të çfarëdoshme. As fjalë dhe fjali sa për të qenë të tilla. Është i kujdesshëm ndaj parimeve të gjuhës, edhe atyre të stilistikës, edhe të logjikës. Nuk e vëren askund se motivohet nga poezitë e poetëve të gjeneratës. Vetëm sheh, shumë shpesh, nëpër vargjet e tij, se është shkollë e shkrimit të poezisë për poetë të tjerë. Librat e tij me poezi, përpos që ofrojnë kënaqësi gjatë leximit, janë edhe doracakë për fillestarët që ta nisin mbarë rrugën e bërjes poet, janë edhe fjalorë për shumë poetë të vjetër për t’i parë gabimet që i kanë bërë. Megjithatë, për shijen time, kjo përmbledhje e poezive që po boton me “Armagedonin”, e di që nuk përsëritet shpesh; vjen kështu, një herë në 35 vjet. Prandaj, krekosem edhe publikisht me “Ditët pa gjë”, po kaq edhe me të zotin e tyre, Adem Gashin, i cili, kur shkruan poezi, i heshtë edhe muzat”.
Një copë jetëshkrim
Adem Gashit i ra hise të vinte në këtë botë, në Drenicë, më 1953.
Ka botuar dymbëdhjetë vëllime me poezi, tre libra me tregime, dy romane dhe dy vëllime me shkrime eseistike e vështrime për letërsinë.
Themeltari i kritikës me kahe të metodës së psikanalizës në letërsi, i ndjeri dr. doc. Mensur Raifi, këtë autor e pat quajtur “poet i energjisë së çliruar” që kur u paraqit me librin e parë poetik.
Shtëpia botuese “Armagedoni” ndihet mirë që po e bën publikimin e librit të tij të njëzetë.
POEZI NGA ADEM GASHI
asaj që ia bleva një fustan
e dinte që nuk isha grek
por bukurinë e saj prej teute
fustani ia zhvishte deri në lëkurë
ec e dije tani
cila qe robinjë e cili i robëruari
brenda lahurisë me lule
u bëmë gardianë
ti e ruaje natën të mos ikte
unë e ruaja ditën të mos zgjohej,
çuditërisht
u bëmë gardianë të kohës
…dhe lulja e dashurisë
s’kish si të mos nxirrte gonxhe
shpallje publike
buzëmbrëmje
në sheshin kryesor të kryeqytetit
shëtisja me gruan, me një grua, përdore
se nga dolën paparacët
e zunë të shkrepnin projektorët
në kabinat e errëta të celuloidit
në agjencitë “vesh më vesh” të lajmeve
në rrjetet virtuale të ajfonëve të shpifur
hymë si dy fantazma me kostume bore
me diçiturën:
“Hahaaaaa, Adem Gashi me dashnore!”
mike, u trembe mike
nga kjo “shpallje” publike
lëre se tash bie nata e trilleve
e ndizen fanarët e ëndrrave
Rutte flet me Erdoganin për situatën e sigurisë në Kosovë
Vera e ardhshme pritet ta gjej në skuadër të re Fisnik Aslla...
Programi “ALBAdapt”, Kumbaro: Kapitull i ri, përgatit Shqipë...
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...