Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, duke reaguar pas vrasjes së boshnjakut Murat Kuçi (57), në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, ka akuzuar BE-në se nuk ka përfillur rekomandimin e tij për shtimin e masave të sigurisë në veri të qytetit të Mitrovicës. Ndërsa, Zyra e BE-së ka kërkuar nga institucionet kompetente ofrimin e sigurisë për qytetarët
Dhuna në veri të Mitrovicës ka vazhduar edhe në fundjavë. Një tjetër person është vrarë të premten mbrëma në lokalin e tij në “Lagjen e Boshnjakëve”, vetëm dy ditë pas vrasjes që kishte ndodhur në rrugën “Filip Vishnjiq” në veri të qytetit të Mitrovicës. Një serb, D.S. ka vrarë me revole 57-vjeçarin Murat Kuçi, i komunitetit boshnjak. Në këtë mënyrë, për më shumë se një muaj Mitrovica e Veriut është bërë fushëbetejë e grupeve të ndryshme kriminale që veprojnë për shumë kohë në pjesën veriore të Kosovës, viktima të të cilave janë qytetarët, më së shumti shqiptarë, por edhe boshnjakë e serbë.
Por për dhunën që ka vazhduar në veri të Mitrovicës, posaçërisht pas vrasjes së boshnjakut, kryetari i pjesës veriore të qytetit të ndarë, Goran Rakiq, ka fajësuar institucionet ndërkombëtare, në veçanti Bashkimin e Evropian, siç ka thënë ai, “nuk ka përfillur rekomandimin e tij për shtimin e masave të sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës”.
“Situata në Mitrovicë është mjaft e ndërlikuar. Ndodhemi në procese të ndjeshme. Ka disa pika në qytet më neuralgjike se të tjerat. ‘Lagjja e Boshnjakëve’ është njëra prej tyre. Ka qe disa muaj që kemi tërhequr vërejtjen për nivel jo të kënaqshëm të sigurisë në disa pjesë të qytetit. Ka disa muaj që kërkojmë, në radhë të parë nga Bashkimi Evropian e pastaj edhe nga EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës që t’i shtojnë patrullat dhe përgjithësisht masat e sigurisë në qytet”, ka thënë Rakiq për mediet lokale serbe në veri. Ai ka apeluar tek qytetarët që të sillen me përgjegjësi dhe në të njëjtën kohë të kenë kujdes për sigurinë e vet, por edhe që në asnjë mënyrë të mos e rrezikojnë lirinë dhe jetën e njerëzve të tjerë.
Reagon Hoxhiq
Ndërkaq Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Kosovës në veri, ka kërkuar nga organet kompetente që të kryejnë hetime për rastin.
“Ngjarje të tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit të gjendjes, e cila është shumë e ndjeshme në Mitrovicë. Përfaqësuesit e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës i thërras që të kryejnë hetime cilësore, t’i procedojnë përgjegjësit dhe që në të ardhmen t’i pengojnë tragjeditë e këtilla dhe të ngjashme”, ka thënë ajo.
Ndërsa Zyra e BE-së në Prishtinë, të cilën Rakiq e akuzon për dhunën në veri, ka kërkuar nga organet e sigurisë që të krijojnë kushte për jetë të qytetarëve. Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Dinka Zhival, ka thënë se BE-ja e ka pritur lajmin me shumë dhembje.
“BE-ja e ka pritur me shumë dhembje humbjen e jetës së një njeriu në qytetin e Mitrovicës. E gjykojmë ashpër këtë rast tragjik. Me mendje jemi tek familja e viktimës. Kërkojmë nga institucionet kompetente që të krijojnë siguri për jetë të qytetarëve”, ka thënë Zhival.
Vrasjen e boshnjakut Murat Kuçi e ka gjykuar edhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, që në pjesën e qytetit me të cilin qeveris ai ka ndodhur një vrasje vetëm një javë para se të vritej boshnjaku. Pavarësisht motiveve, Bahtiri ka thënë se vrasja e Kuçit është akt kriminal, i palejueshëm dhe i dënueshëm.
“Ne e dënojmë ashpër këtë akt mizor dhe kërkojmë nga organet e Hetuesisë që sa më parë t’i zbulojnë motivet që kanë çuar në vrasjen e Kuçit dhe që dorasi të dalë para organeve të drejtësisë dhe ta marrë dënimin e merituar. Unë me këtë rast në emër të qytetarëve të Mitrovicës dhe në emër timin personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe kërkoj nga ata që të ruajnë gjakftohtësinë dhe që ndriçimin e plotë të rastit t’ua lënë organeve të Hetuesisë e të drejtësisë”, thotë kryetari Bahtiri. Ai po ashtu kërkon nga organet e rendit dhe të sigurisë që të ndërmarrin masat e nevojshme preventive në mënyrë që ta kenë situatën nën kontroll të plotë dhe që t’i parandalojnë incidentet e këtilla e të ngjashme që mund t’i kryejnë keqbërësit dhe personat me prirje kriminale, ndërsa nga qytetarët pa dallim përkatësie etnike, kryetari Bahtiri ka kërkuar që të jenë syhapur dhe të mos lejojnë destabilizimin e situatës, e cila kohëve të fundit ishte mjaft e qetë për të cilën ata vetë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm dhe janë më meritorët.
Tri vrasje brenda javës
Në anën tjetër, familjarët e viktimës së të shtënave me armë të premten në lokalin e Murat Kuçit, në “Lagjen e Boshnjakëve”, me ç’rast Kuçi mbeti i vrarë në vend, nuk kanë folur shumë për rastin. Ata kanë thënë se Murati ka qenë për katër vjet pronar i atij lokali dhe se nuk ka pasur probleme me askënd. “E ka mbajt familjen me atë lokal, është përpjekur me punu, problem s’ka pas me askënd”, ka thënë një familjar i Kuçit.
Ndryshe, Murat Kuçi (57) i nacionaliteti boshnjak është vrarë të premten në lokalin e tij, në “Lagjen e Boshnjakëve”. Policia ka arrestuar një serb, D.S., 33-vjeçar si të dyshuar për vrasjen e boshnjakut. Brenda një jave në qytetin e Mitrovicës në veri dhe në jug kanë ndodhur tri vrasje: në jug të Mitrovicës është vrarë 23-vjeçari Ermal Kamberaj, ndërsa në veri të Mitrovicës janë vrasë S.V., 48-vjeçar dhe të premten Murat Kuçi, 57-vjeçar.
Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...