Shitja e purove nuk deklarohet, vihet në dyshim edhe kualiteti

09:42 | 14 Maj 2017
Arbresh.info

Shitja e produkteve të Duhanit është një prej bizneseve vështirë të kontrolluara, e veçanërisht kur flasim për cigaret puro, të cilat kryesisht vijnë nga Bullgaria. Duke qenë më të shtrënjta, jo në të gjitha rastet e shitjes ato deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe blerës të tyre i kanë thënë arbresh.info se shpesh nuk pajisen me kuponë fiskal. Shitësit e saj bëjnë thirrje edhe për kujdesë nga purot false, të cilat sipas tyre  prodhohen jashtë standardeve dhe nuk janë kualitative dhe të kontrolluara.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci në një prononcim për portalin arbresh.info ka thënë se këto cigare importohen nga Bullgaria.

“Sipas të dhënave të doganës së Kosovës gjatë këtij viti sasia e importuar e cigareve puro është 81.64 kg, me pagesë të akcizës prej 3,139.10 euro. Ky lloj i cigareve të importuara vjen kryesisht nga Bullgaria”, ka thënë ai.

Në anën tjetër sipas informatave nga burime të portalit Arbresh.info shumica e këtyre bizneseve nuk u japin kuponë fiskalë qytetarëve të cilët blejnë këtë lloj cigareje, ndërsa çmimi i tyre është i ndryshëm duke filluar nga 6 euro, dhe varësisht nga lloji arrinë deri në 500 euro.

Valentina Bytyqi – Sefa zëdhënëse për informim në Administratën tatimore të Kosovës ka thënë se numri i bizneseve të fiskalizuara është 26,506 , ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale të instaluara është 34,514, ku sipas saj në kuadër të këtyre bëjnë pjese edhe bizneset që merren me shitjen e duhanit-cigareve.

Sipas saj në rast se bizneset nuk i binden kërkesës, atëherë vendosen gjoba.

“Gjobat ndaj bizneseve për mos lëshim te kuponit fiskla, janë te parapara sipas Ligjit nr;03/L-222, ku gjoba përcaktohet sipas qarkullimit vjetor, dukë  filluar nga: 125 € deri në 1000 €. Andaj Administrata Tatimore e Kosovës i bënë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i lajmojnë rastet kur hasen në kuponë jo-fiskal”, thekson ajo.

Ndërsa Lulzim Hisari, distributor i firmës ‘Kaliman Caribe’ në një përgjigje për Arbresh.info ka thënë se ky biznes është përfaqësues i purove kubane.

“Kaliman Caribe është përfaqësuese e purove Kubaneze  dhe bën distribuimin e tyre  në 11 shtete, prejardhja e se cilave mund te verifikohet nëpërmjet bar kodeve. Perveç purove Kubaneze ‘Kaliman Caribe’ importon dhe bën distribuimin e purove nga Republika Dominikane, Nikaragua  dhe Europa”, ka thënë ai.

Sipas tij, tani është duke u vënë në pikëpyetje edhe cilësia dhe kualiteti i këtyre cigareve.

“Kaliman Caribe garanton për prejardhjen dhe kualitetin e të gjitha purove me etiketë të veçantë e cila gjendet në produktet të cilat i ofrojmë. Apelojmë të gjithë përdoruesit e purove që të shmangen prej purove qe importohen në mënyrë ilegale sepse ato prodhohen jashtë standardeve dhe nuk janë kualitative dhe të kontrolluara. Ndërsa përfaqësues i vetëm për Kosovë dhe 10 shtetet tjera është Kaliman Caribe,”, ka theksuar ai.

Hisari thotë se importi i kësaj cigareje varet nga kërkesat e sasive në treg dhe normave ligjore të Republikës së Kosovës.

“Në krahasim me numrin e banorëve dhe standardit të ulët këto produkte të duhanit përdoren mjaft në Kosovë. Ne arrijmë shitje të mjaftueshme dhe me kalimin e kohës shitjet janë në rritje e sipër. Po ashtu konsumatorët tanë janë shumë të kënaqur dhe nuk kanë  asnjë vërejtje sepse ofrojmë produkte të duhanit me kualitet të lartë”, ka shtuar ai.

Në agjencinë e regjistrimit të bizneseve të Kosovës janë të regjistruara gjithsej 53 biznese të këtij lloji ku 5 prej tyre figuron se janë shuar. Ndër produktet e shumta të cigareve që shesin bizneset Tobacco janë edhe llojet e cigareve Puro të cilat duket se përdoren mjaft shumë edhe në Kosovës./V.Berisha/Arbresh.info.

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme