Prokuroria nis hetimet për video-skandalin që dridhi Superligën e Shqipërisë

18:31 | 13 Maj 2017
Arbresh.info

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas video-skandalit ku menaxheri i futbollistëve Drini Caushi nëpërmjet një bisede telefonike i kërkonte lojtarit të Partizanit, Emiliano Vila që të toleronte ndeshjen me Kukësin.

E gjithë videoja e regjistruar, tashmë ka rënë në duart e policisë, që ia ka referuar materialin kallëzues Prokurorisë së Kryeqytetit për veprime të mëtejshme hetimore ndaj Drini Caushit, i cili akuzohet se i ka kërkuar Vilës të kryejë veprime në kundërshtim me garën sportive, parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.

Kjo lëvizje e organeve ligjzbatuese erdhi menjëherë pas reagimit të klubit të Partizanit, Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe nga klubi i Kukësit për hetime të mëtejshme, në mënyrë që t’i shkohet deri në fund kësaj çështjeje, për të nxjerrë përgjegjësitë dhe zbardhur deri në detaje të vërtetën.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore do të mësohet nëse Caushi ka vepruar individualisht, apo i është kërkuar të ndërhyjë nga persona të tjerë për tolerimin e ndeshjes nga futbollistët e Partizanit.

Klubi i Kukësit është distancuar menjëherë nga kjo ngjarje, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me personin në fjalë, sikurse FSHF ka sqaruar se Drimi Caushi nuk figuron të jetë pjesë e një asnjë skuadre apo shoqate në futbollin shqiptar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme