Google ADS

Zaev fajëson gjashtë deputetë të VMRO-së për dhunën në kuvend

13:02 | 13 Maj 2017
Arbresh.info

Janë gjashtë deputetë të VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit, të cilët kanë ndihmuar dhunën në Kuvend më 27 prill ku në shënjestër të protestuesve ishin deputetët e LSDM-së dhe ata të partive shqiptare, ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev pas marrjes në pyetje nga Prokuroria Publike e Shkupit për ngjarjet në institucionin ligjvënës

“Dy deputetë të VMRO DPMNE-së kanë marrë pjesë në heqjen e profileve të hekurit nga dera kryesore kurse katër të tjerë kanë orientuar masën për tek salla e konferencës për mediat ku gjendeshin deputetët e shumicës parlamentare. Këtë e them nga dëshmitë e siguruara nga incizimet brenda Kuvendit, por edhe nga ato që tanimë po qarkullojnë në opinion. Nuk e di se si këtë nuk po e shohin kolegët deputetë nga VMRO-ja”, ka deklaruar Zaev, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Sipas kreut të LSDM-së dhe të nominuarit të kësaj partie për kryeministër, qëllimi i grupit që pushtoi Kuvendin ishte “vrasja e deputetëve të partisë së tij, por edhe të partive tjera të shumicës parlamentare”.

Zaev më tutje ka thënë se dëshmitë që ka paraqitur do t’i shërbejnë zbardhjes së këtij rasti të tmerrshëm të paraparë jo vetëm në Maqedoni por edhe në asnjë vend tjetër në botë.

“Sot isha në prokurorinë publike si palë e dëmtuar, një nga ata që ishin objekt i drejtpërdrejt i sulmit nga masa e futur në Kuvend, e cila kishte për qëllim të vriste deputetë përmes një plani të hartuar mirë dhe me paramendim. Besoj se dëshmitë do të ndihmojnë në zbardhjen e dhunës dhe ia lë profesionistëve të vendosin se për cilën vepër do të përgjigjen sulmuesit”, ka deklaruar Zaev, duke kërkuar përgjegjësi për çdo veprim që kishte ndodhur natën e sulmit në Kuvend.

Nga VMRO DPMNE-ja kanë mohuar pretendimet e kreut të LSDM-së, duke theksuar se ai përmes shpifjeve të tilla tenton të fshehë, siç thuhet, “tradhtinë ndaj atdheut me miratimin e platformës së Tiranës dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në mënyrë joligjore”.

Nga partia e Gruevskit thonë se me kohë janë distancuar nga aktet e dhunës, por ritheksojnë se “më 27 prill LSDM-së i ka ndodhur populli, i cili me të gjitha mjetet të mundshme do të vihet në mbrojtjen të karakterit unitar të shtetit.”

Lidhur me ngjarjet në Kuvend ndaj 30 personave Prokuroria ka paraqitur kallëzime penale, dhjetë të tjerë janë identifikuar dhe pritet të ndalohen nga Policia, ndërsa me 25 të tjetër po merren në pyetje.

Por, në anën tjetër tre nga organizatorët kryesorë të pushtimit të Kuvendit mbeten ende në liri duke vijuar me organizimin e protestës para Qeverisë dhe Kuvendit të Maqedonisë.

Në pyetje nuk janë marrë as punonjësit e Policisë, të cilët po ashtu dyshohen të kenë ndihmuar në sulmin ndaj deputetëve, e që ishte denoncuar edhe nga vet ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu. Ai si një nga fajtorët ka apostrofuar edhe drejtorin e Byrosë së Sigurisë Publike, Mitko Çavkov për pengimin apo moszbatimin e urdhrave për ndërhyrjen e policisë.

Nuhiu kishte kërkuar shkarkimin e tij, por procedura ka mbetur në Qeveri, e cila edhe bën emërimin e tij.

Ekspertët thonë se kjo vështirë se do të ndodhë duke marrë parasysh lidhjet e tij me Qeverinë teknike, që drejtohet nga VMRO-ja.

“Ministri ka kompetenca vetëm se të propozojë por jo edhe të shkarkojë nga detyra drejtorin e Byrosë së Sigurimit Publik pasi ai zgjidhet nga qeveria dhe shkarkimi i tij është në kompetencë të Qeverisë. Duke marrë parasysh rrethanat, dihet se ajo nuk do ta shkarkojë atë nga detyra, por ka edhe një mundësi tjetër e cila nuk përmendet në ligjin e Policisë, e që ka të bëjë me Prokurorinë. Nëse prokurori do të inicionte kundër drejtorit Çavkov procedurë penale, atëherë kjo do t’i mundësonte ministrit suspendimin e tij nga detyra” , thotë eksperti i sigurisë, Qebir Avziu. (REL).

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme