Abrashi: Punësuam rreth 50.000 persona

00:23 | 13 Maj 2017
Trina Galanxhi

Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova se kjo qeveri ka zvogëluar papunësinë dhe janë punësuar gjatë këtij gjysmë-mandati rreth 50 mijë persona.

“Në dy vjet ne kemi identifikuar mbi 25 mijë vende të punës të lira, disa janë të lira ende pasi s’ka pasur kuadër, në disa tashmë janë punësuar njerëzit”, ka thënë Abrashi, duke shtuar se “kemi ulje për tetë për qind të papunësisë”.

“Janë punësuar rreth 50 mijë njerëz në këto dy vjet e gjysmë qeverisje. Këto janë të dhëna me emra me mbiemra, persona që kanë filluar ta paguajnë tatimin”.

“Do të arriheshin edhe shumë vende të reja të punës në vjetet në vazhdim, pasi kemi edhe shumë marrëveshje të tjera”.

“Mbase dikush u frikësua nga këto të mira dhe u prish koalicioni. Ekziston një frikë nga PDK që nëse shkohet me këtë trend në zgjedhjet lokale do të humbin të gjitha komunat”, pohoi Abrashi.

“Nëse i gjykojmë rezultate e prekshme, ne si qeveri do të mbahemi mend për një punë të mirë. Jem një qeveri, e para pasluftës, që s’kemi pasur asnjë aferë korruptive”.

“Kjo ishte një qeverisje me duar të pastra, edhe kur ka pasur raste menjëherë janë shkarkuar personat, flasim për afera që kanë filluar para kësaj qeverie, por megjithatë ne i kemi larguar menjëherë”.

“Mund të ketë të pakënaqur – kemi pasur një skandal të aferës Pronto dhe ka marrë bujë vitin e kaluar, por aty bëhej fjalë për një ngjarje që ka ndodhur para shtatë vjetëve, jo në këtë qeverisje”.

Abrashi ka thënë edhe se gjatë qeverisje ka pasur bashkëpunim të mirë, prandaj janë befasuar nga pabesia e madhe që u erdhi nga PDK-ja.

“Me prishjen e koalicionit s’ka humbur LDK-ja në asnjë mënyrë, por ka humbur Kosova, por ja që njerëzit i ndërrojnë fjalët”, tha ministri në detyrë.

Abrashi e përsëriti se tashmë LDK-ja ka vija të kuqe për vetëm një parti – “ajo është PDK-ja”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme