Reagon vëllai i Dardan Molliqajt, mashtruesi i mërgimtarëve

23:05 | 12 Maj 2017
M. A.

Vlorian Molliqaj, vëllai i Sekretarit Organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se një formular për regjistrimin e votuesve të diasporës kosovare të cilin e ka publikuar ai në rrjetin social Facebook, nuk është paraqitur në emër të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook, vëllai i Dardan Molliqajt ka thënë se formulari i publikuar kishte për synim të ndihmonte mërgimtarët rreth procesit të votimit në zgjedhje.

“Me vullnet të mirë, në bashkëpunim me disa të rinj mërgimtarë, ndërmorrëm një iniciativë që t’i ndihmojmë mërgimtarët duke i informuar në lidhje me procesin e votimit nga mërgata për zgjedhjet në Kosovë. Pa kaluar gjysmë ore, mediet e pushtetit filluan me etiketime nga më të ndryshmet, madje edhe duke na quajtur mashtrues dhe keqpërdorues të të dhënave personale”, ka deklaruar Vlorian Molliqaj.

“Ne as nuk jemi paraqitur në emër të KQZ-së, e as në emër të ndonjë subjekti politik. Përkundrazi, e kemi sqaruar se kjo është nismë vullnetare dhe se të dhënat do të përdoren vetëm për t’u informuar në lidhje me votimin nga jashtë”, ka deklaruar ai.

Molliqaj ka thënë se “do të ishte shumë më e lehtë sikur një gjë të tillë ta bënte KQZ-ja, por meqenëse ata nuk e bëjnë, mërgimtarët votojnë shumë pak në mungesë të informacioneve.”

“Sidoqoftë, i ftoj mediet dhe të gjithë të tjerët që shpifin se ky lloj i mbledhjes së informatave bie ndesh me ligjin që të na tregojnë se cili qenka ai ligj!? Nuk ka asnjë ligj në botë që ndalon mbledhjen e të dhënave të cilat jepen me vullnet të lirë dhe nuk përdoren për arsye tjera përveç atyre të paralajmëruara”, ka shkruar Molliqaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme