Google ADS

Kurthi i politikës kundër shqiptarëve

12:36 | 12 Maj 2017
Arbresh.info

Nga Azem Parllaku

Sherri i politikës ka larguar vëmendjen nga problemet reale që kanë qytetarët e Shqipërisë. Ndërsa ndërkombëtarët bëjnë thirrje për kompromis për hir të stabilitetit, në realitet parimet e demokracisë po harrohen çdo ditë e më shumë, qetësia e njerëzve është prishur, e ekonomia dhe biznesi po lëngon.

Mosmarrëveshjet dhe mllefet e politikës, kanë degraduar si kazanet me zift të nxehtë mbi kokën e të ardhmes. Politikanët shqiptarë, veçanërisht ata lider, sillen si perandorë e mbretër, në vend që të sillen si mendimtarë dhe apostuj të jetesës së begatë për shqiptarët e shumëvuajtur.

Po na vrasin çdo ditë thonë qytetarët, teksa askush nuk dëgjon. Po na vrasin me antenat, me mishin nga Brazili, me miellin nga Serbia, me pulat nga Argjentina, me qumështin pluhur, që pastaj bëhet kos dhe ne vrasim mendjen hahet apo pihet.

Po na vrasin me hashashin, me ajrin me përqindjen më të ndotur në Europë, me ujin qe vjen erë, me trafikun e çdo mëngjesi, me shëndetësi falas, me konçesione, po na djegin në spitale private. Por ç’është më e keqja po na vrasin shpresën. Prandaj ikin shqiptarët, prej padrejtësive, prej pamundësive, prej sherreve. Ikin se ndjehen të lodhur dhe të frustuar, ndjehen pa zot, ndjehen të keqardhur dhe në ankth për të ardhmen e fëmijëve.

Nuk ulen njëherë të qetë në tryezën e thjeshtë të bukës, mbasi politikanët e lagjes më të varfër të Europës, janë bërë si fantazma të frikshme. Dhe populli i gjorë i ndjek pandërprerë, teksa poshtërohet sërish. Ikin të rinjtë mbasi rinia e tyre është vrarë me reforma në arsim për të pasuruar diplomoret buzë Lanës.

Rinia është shurdhuar nëpër call centera. Dhe të shkretët nuk ankohen, se ju duhen ato dy para për të paguar shkollën, e për të ngrënë ndonjë vakt bukë. Politikanët sillen si shpikës të lirisë dhe votimit të ndershëm, ndërsa shqiptarët kanë vite që vijnë vërdallë duke u bëre turpi i Europës.

Festojmë Ditën e Europës, po ç’lidhje kemi ne me Europën, kur presim si do vejë halli i zgjedhjeve, i vettingut, i çadrës, i protestës, etj. Etja për jetë të qetë dhe harmoni është fabula e qytetërimit, ndërsa shqiptarëve u shkoi jeta duke u përpjekur si heronjë të gabuar në beteja idiotësh. Lufta për vetveten është kthyer sot në debat, në analizë, ku marrin pjesë të “paditurit” e kohërave të fundit duke mbjellë mendësinë e vetvetes dhe duke shfarosur idetë që krijojnë jetë të lumtur në bashkëjetesë. Kjo mendësi po vulos fatin e shqiptarëve se drejt kujt rruge po shkojmë.

Kjo udhë nuk i ngjan udhës së shpresës, por ngjan me udhën që çon drejt dhe rrënimit. Frytet nuk vonojnë të vijnë, sepse çka është mbjellë deri tash, po korret e do të korret nga vetë ne, qenie njerëzore që kemi sy por nuk shikojmë, kemi veshë por nuk dëgjojmë. Ky është kurthi që politika ka kurdisur, ndërsa vijon të majmet me marrëveshje të hapura dhe të heshtura. Bëjmë zgjedhje, nuk bëjmë zgjedhje. Bëjmë Reformë në Drejtësi, nuk bëjmë Reformë në Drejtësi, kjo është retorika boshe që, politikanët përcjellin para kamerave dhe në rrjetet sociale të komunikimit. Deputetë, oligarkë, e politikanë janë grumbulluar të gjithë nëpër komplekse vilash, bashkë me njëri-tjetrin.

Larg nga njerëzit e tjerë. Me roje dhe kamera sigurie. Dhe të gjithë i shkollojnë fëmijët e tyre jashtë. Në sytë e popullit partitë dhe politikanët sulmojnë njëra-tjetrën duke mbjellë përçarje dhe terror psikologjik. Çdo faqe e fytyrave që shohim dhe ndjekim nëpër debate, sulme e kundërsulme, janë shfaqje e së vërtetës së këtyre mendësive që vjelin dhe korrin frytet e kësaj vepre që prodhohet sot nëpër kulisat e pushtetit.

Të mbjellësh dogmë dhe fatalitet, të prodhosh luftë shpirtërore dhe psikologjike, të uzurposh nëpërmjet padrejtësive mendimin dhe dëshirën për jetën në harmoni dhe begati, i je nënshtruar vullnetit të të ligut, i cili kërkon luftë dhe jo paqe, kërkon vuajtje dhe jo gëzim, kërkon dëmtim dhe jo harmoni, kërkon të vendosë pushtetin e tij. Një turmë prej mijëra vetash sipas Giovanni Sartorit “miraton me brohoritje propozime që e njëjta turmë, e ndarë në grupe të vogla, do t’i hidhte poshtë”.

Më tej Sartori citon Mikels-in që thoshte me një fjali se është më lehtë të zotërosh masën se auditorin e vogël. Dhe gjithnjë, sipas Sartorit, ai që fiton këtë rrugë është demagogu, është manipuluesi shembullor i sovranitetit të popullit. Demagogu u bën thirrje turmave, duke bërtitur se populli ka gjithnjë të drejtë. Por, parimi demokratik nuk e mbështet këtë absurditet. Parimi demokratik është që populli është sovran edhe në të drejtën për të gabuar, përndryshe, ç’sovran do të ishte?

Po, nëse populli ka të drejtë të gabojë, nuk do të thotë se është e lavdërueshme ta shtysh të gabojë. Sepse ai që me retorika populliste e shtyn popullin që të gabojë ai s’është gjë tjetër pos një demagog i përkryer.

 

______________________________________________________________________________________________________________

Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme