Mustafa vlerësoi lartë kontributin e Presidentit Nishani për Kosovën

15:15 | 11 Maj 2017
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për kontributin e madh që Presidenti Nishani ka dhënë për Kosovën, gjatë mandatit të tij në krye të shtetit shqiptar.

Duke vlerësuar përkrahjen e madhe të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, kryeministri Mustafa theksoi rolin e veçantë pozitiv dhe unifikues të Presidentit Nishani në proceset zhvillimore në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi Presidentin Nishani edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe përkushtimin e tij për avancimin e mëtejshëm të zhvillimit ekonomik, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimet euroatlantike dhe proceset tjera për zhvillimin e shtetit.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë në të gjitha fushat.

Presidenti Bujar Nishani, falënderoi kryeministrin Mustafa për punën dhe përkushtimin e tij për fuqizimin e shtetit të Kosovës si dhe avancimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Presidenti Nishani foli për proceset aktuale në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë, duke theksuar besimin e tij për avancimin e proceseve demokratike dhe euroatlantike.

Presidenti Bujar Nishani theksoi, po ashtu, përkushtimin e mëtejshëm për të kontribuuar për avancimin e proceseve në Kosovë, duke vlerësuar lartë lidershipin e kryeministrit Isa Mustafa në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme