Lidhja Demokratike e Kosovës që nga dje ka shpallur se nuk e njeh për President të Kosovës Hashim Thaçin, të cilit Isa Mustafa me shumë mund ia kishte siguruar votat e LDK-së për ta vendosur në krye të shtetit. Një qëndrim të ngjashëm LDK-ja e kishte mbajtur edhe ndaj Atifete Jahjagës për të cilën kishte votuar që të jetë Presidente.
Lidhja Demokratike e Kosovës mbrëmë ka bërë me dije se nuk e njeh më marrëveshjen që e kishte nënshkruar në dhjetor të 2014-s me Hashim Thaçin, pasi ishte larguar befasisht nga blloku opozitar VLAN. Ky veprim i LDK-së ka ardhur si reagim ndaj rrëzimit të Qeverisë dje në Kuvend. Votat e PDK-së kanë qenë vendimtare. Si pasojë LDK-ja mbetet e hidhëruar.
“Me këtë veprim, Marrëveshja e koalicionit bie në tërësi dhe LDK-ja nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj”, thuhet në njoftimin e partisë së dytë në vend.
Ky qëndrim ka filluar të implementohet nga sot. LDK nuk e ka dërguar fare përfaqësuesin e saj te Presidenti Thaçi, i cili ka organizuar një tryezë me partitë politike për konsultime rreth datës së zgjedhjeve. Aty madje kanë shkuar edhe përfaqësues të VV-së por jo edhe LDK-ja.
Një qëndrim të ngjashëm ndaj institucionit të Presidentit LDK-ja e kishte mbajtur edhe gjatë kohës sa në krye të shtetit ishte Presidentja Jahjaga.
Presidentja Jahjaga ishte zgjedhur në këtë post më 7 prill të vitit 2011 nga Kuvendi i Kosovës mbi bazën e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së të lehtësuar nga ambasadori amerikan në largim, Christofer Dell.
Ajo marrëveshje i përcaktonte Jahjagës një mandat të shkurtuar të postit të presidentes, përkatësisht deri në përfundimin e reformës kushtetuese, sipas të cilës, presidenti në të ardhmen të zgjidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vota e popullit.
Megjithatë, gjatë korrikut të vitit 2012 Gjykata Kushtetuese e konsideroi antikushtetuese marrëveshjen e liderëve politikë në pikën ku përcaktohej shkurtimi i mandatit të presidentes, duke i njohur kështu Jahjagës mandatin e plotë pesëvjeçar.
Sido që të jetë, Presidentja ka mbajtur postin e saj deri në vitin 2016, ndërkohë që LDK-ja me kalimin e kohës ishte përshtatur me këtë fakt dhe e kishte njohur atë.
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...
Mbjellja e ullirit në Lushnjë, në 2024 u mbollën 9500 fidanë...
Në Barcelonë protestohet kundër rritjes së çmimeve të qirasë